Sot është në detyrën e drejtorit teknik të Akademisë së Futbollit Vllaznia, por më herët, në karrierën e tij si futbollist, Alban Hasani(Neziri), krahas Vllaznisë ka luajtur edhe me Teutën e Durrësit, madje edhe duke qenë protagopnist në fitimin e trofeut të Kupës së Shqipërisë. Duke folur për ndeshjen e javës së 31-të të Superiores së futbollit shqiptar, Vllaznia-Teuta, ai e konsideron si ndeshjen e vitit, pasi në përfundim të saj, do të vendoset shumë në lidhje me trofeun e titullit kampion.
Alban, sa herë përballen Vllaznia dhe Teuta, si futbollist që keni luajtur me të dy ekipet, është me interes mendimi juaj.
Sinqerisht, është një ndeshje jashtëzakonisht e bukur, sepse luan vendi i parë me vendin e tretë dhe një fitore e Vllaznisë e çon aty ku i takon në vendin e parë. Më vjen shumë keq që nuk ka tifozë kjo ndeshje, sepse ju e dini shumë mirë që po të lejohej do të kishte mbi 10 mijë vetë në stadium. Shpresojmë që duke parë edhe mitingjet që janë bërë gjatë fushatës elektorale ku janë mbushur stadiumet, edhe FSHF të marrë vendimet e duhura për të lejuar tifozët në stadium. Besoj se ka ardhur kohë që tashmë, të paktën, 30 apo 40% të lejohen tifozët, sepse konkretisht kjo është ndeshje që ia vlen për ta ndjekur jo vetëm në televizor, por edhe nga afër në stadium.
Në aspektin teknik, si i shikoni të dyja skuadrat për formën sportive që kanë, kush është më afër mundësisë së fitores?
Janë dy ekipe që janë me meritë aty ku janë, si Teuta dhe Vllaznia. Më erdhi shumë keq për humbjen e Vllaznisë në Tiranë, sepse luajtën shumë mirë, dhe po të barazonte apo të fitonte Vllaznia do të flisnim ndryshe sot. Por, jam i bindur në një fitore të Vllaznisë, sepse këto javët e fundit ka treguar stabilitet duke u kthyer Vllaznia e dikurshme siç ishte në fillimin e kampionatit. Jam i bindur se do të shikojmë një futboll të bukur. Këtë vit duhet parë më seriozisht ekipi i Teutës, për vetë vendin e parë që ka, dhe jam i bindur se do të shikojmë ndeshje të bukur, dhe besoj shumë se Vllaznia do të fitojë dhe t’i afrohet sa më shumë titullit, për të cilin kemi sa e sa vite që e ëndërrojmë në Shkodër.
Teuta vjen në Shkodër si kryesuese e kampionatit, mendoni se ka një avantazh më shumë në aspektin moral?
Po, natyrisht që duke parë edhe derbin Partizani-Tirana, çdo gjë është e mundur, është e hapur. Teutës besoj që edhe barazimi i bën shumë punë, sepse tashmë javët po ofrohen dhe jemi drejt fundit të kampionatit. Ashtu si durrsakëve që e kërkojnë këtë titull tash 25 vjet, ashtu e kërkojmë edhe ne që na mungon prej shumë vitesh. Është një ndeshje për t’u ndjekur, sepse ka rëndësi shumë të madhe për titullin, është kryendeshja e vitit, ndahen shumë gjëra tek kjo ndeshje.
Faktikisht, është caktuar të luhet të hënën e 3 majit në stadiumin “Loro Boriçi” duke filluar nga ora 18.00.
Jashtëzakonisht mirë, duke marrur parasysh që tashmë është edhe koha që e favorizon një klimë të përshtatshme për ndeshjen. Ia vlen që kjo ndeshje të zhvillohet ditën e hënë, sepse ka gjithçka brenda, ka lojën e bukur, rivalitetin në klasikim me tre vendet e para, por ka atë që i mungon, tifozërinë, që nëse do të lejohej do të ishte edhe shumë, shumë bukur.
Në kampin durrsak janë tre shkodranë, në pankinë, një mik dhe koleg i juaji si trajneri Edi Martini, si dhe Pjeshka me Grudën në fushën e lojës.
Po, Edi, është mik i imi dhe i gjithë Shkodrës, së bashku me Pjeshkën dhe Grudën do të jenë përballë Vllaznisë të hënën në Shkodër. Mund të them për Grudën se është një nga lojtarët që kam pasë më shumë për zemër, sepse vjen edhe nga një familje e madhe sportive shkodranë e vëllezërve Gruda. Kam pasë shumë besim tek ai si një lojtar që do të eci, që kur e kemi marrë nga Shënkolli ku ishte pjesë e tyre me moshat. Besoj se ai do të bëhet ndër lojtarët më të mirë në Shqipëri, por shpresoj të mos jetë në formën e duhur për këtë ndeshje kundra Vllaznisë. Është një lojtar zone, lojtar goli, lojtar vdekjeprurës siç themi ne në gjuhën sportive. Më vjen mirë që ka ecë ai djalë, sepse e kam kërkuar me ngulm që ai të bëhet pjesë e Vllaznisë në ekipin e parë tash dy dite. Nuk kanë besuar tek ai, nuk kanë besuar tek ne, por kanë marrë lojtarë jo të nivelit te Vllaznia, lojtarë mund t’i quajmë mediokër në pjesën e sulmit, dhe ai mund të kishte qënë i domosdoshëm për tu bërë pjesë e skuadrës, sepse ka pasë dëshirë shumë të madhe të luajë për Vllazninë.
Edhe diçka Alban, që në fakt ka marrur jo pak vemendjen e opinionit publik në lidhje me një farë debati mes dy palëve. E kam fjalën për dyshen, Plori-Martini…
Unë kam folur me të dy, si me Edin dhe me Elvisin. Janë keqkuptuar në deklaratat e njër tjetrit. Elvisi i ka thënë që Teuta mund të jetë aty, por loja nuk i ka pëlqyer duke pasur një debat me Shkëlqim Muçën në studion sportive të TVSh-së dhe Edi e ka marrë ndryshe. Normalisht që emocionet në futboll janë të mëdha, tashmë sa vijnë dhe rriten edhe më shumë. Trajnerët janë në 360 gradë në punën e tyre, edhe ndonjë fjalë më tepër i lejohet, por unë jam i bindur se gazetarët duan gjithmonë lajm dhe bëjnë çdo gjë si t’i fryejnë gjërat. Dhe, më vjen shumë keq që gjithmonë lajmi vjen në Shkodër, dhe ka debate shumë më të mëdha në qytetet e tjera, por kur bëhet fjalë për shkodranët dihet se është më i ndjeshëm.
Dhe, konretisht për ta mbyllur, si mendon Alban Hasani për sfiën e së hënës, Vllaznia-Teuta, kush fiton, Vllaznia apo Teuta, Plori apo Martini?
Janë dy trajnerë që përfaqësojnë dy qytetet më të vjetër në Shqipëri për futboll. Unë jam i bindur se nuk fiton as Elvisi dhe as Edi, por fiton Vllaznia apo Teuta e Durrësit, fiton ai ekip që do të luajë më mirë, ku për momentin Vllaznia është duke luajtur mirë dhe është një hap i sigurtë drejt titullit kampion. Besoj se do të fitojë Vllaznia, me dëshirën time dhe me atë që shikoj në fushë.
Gaspër MARKU