Vllaznia vazhdon të vuajë në gjetjen e golit. Miqësorja e luajtur pasditen e së mërkures në stadiumin “Redi Maloku” të Fushë Krujës është mbyllur me fitoren e Vllaznisë me rezultatin 0 me 1. Ajo që të shqetëson është se goli i fitores nuk është shënuar nga futbollistët kuqeblu, por rezultati është fiksuar nga një autogol i shënuar nga mbrojtësi krutan Bojom në minutën e tetë të ndeshjes. Një dobësi të tillë kuqeblutë e kanë pasqyruar edhe në miqësoret e tjera të mëparshme ku me të drejtë specialistët e futbollit kanë përcjellë kritika jo të pakta në adresë të repartit të sulmit, por edhe të skuadres në tërësi. Koha në dispozicion për të riparuar një defekt të tillë ka qënë mëse e mjaftueshme, por duket se gjërat nuk janë në nivelin e duhur. Megjithatë, në kampin shkodran nuk e shikojnë problematike një gjë të tillë, sepse sipas tyre skuadra është në rrugën e duhur dhe se në ndeshjet zyrtare Vllaznia pritet të jetë krejt ndryshe, si në lojë dhe në shënimin e golave.
Në këtë ndeshje, trajneri i Vllaznisë Tomas Brdariç ka aktivizuar dy formacione. Në pjesen e parë janë aktivizuar: Zogoviç, Gurishta, Adili, Imami, Isaevski, Krymi, Marku, Kruja, Victor Da Silva, Ileri, Dilaver. Ndërkohë, në 45 minutat e dyta në lojë për Vllazninë janë aktivizuar: Qarri, Lekaj, Isufi, Shehi, N. Hoxhaj, Ramadani, Jonuzi, Kalaja, Sidorenco, A. Hoxhaj dhe Çoba.