(Video) Vllaznia-Dinamo City dhe Egnatia- Partizani, dy çiftet gjysmëfinale të “Final 4”

Është hedhur në ambientet e “Shtëpisë së Futbollit” shorti i fazës “Final 4” në kampionatin “Abissnet Superiore”, teksa përballë janë vendosur Egnatia – Partizani dhe Vllaznia – Dinamo City.

Në shortin e organizuar nga Federata e Futbollit morën pjesë Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, presidentë dhe përfaqësues të klubeve të kualifikuara në “Final Four”, si edhe përfaqësues të medias.

Presidenti i Federatës së Futbollit, Armand Duka mbajti një fjalë përshëndetëse për të gjithë të pranishmit në sallë, duke i urar shumë fat, katër ekipeve finaliste në “Final 4”. “I uroj mirëseardhjen klubeve finaliste dhe përfaqësuesve të mediave në këtë event të rëndësishëm të garës së ‘Abissnet Superiore’. Jemi në fillimin e fundit të këtij kompeticioni vërtet të suksesshëm. Një kompeticion me 36 javë që ka dhuruar emocione gjatë gjithë 36 javëve dhe sidomos në momentet e fundit të garës. Kjo garë është luajtur si rrallë më parë për të përcaktuar klasifikimin deri në javën e fundit. Kjo e bën akoma më të bukur garën.

Kjo lojë bëhet e bukur kur të gjithë bashkë kontribuojmë për këtë. Dhe për këtë dua të falënderoj të gjithë futbollistët, për kontributin e tyre gjatë këtij viti në ‘Abissnet Superiore’. Pa dyshim presidentët, drejtuesit e klubeve, trajnerët, jo vetëm të katër finalisteve, por të gjithë atyre që kanë marrë pjesë në këtë kampionat.

Tani jemi në fazën finale, ku do të përcaktohet edhe kampioni i këtij sezoni. U uroj shumë suksese të katër skuadrave që janë pjesëmarrëse në fazën finale. Dhe, duke qenë se do marrin pjesë edhe në Kupat e Europës, u uroj suksese në garat europiane. I gjithë futbolli shqiptar ka shumë nevojë që të kemi rezultate dhe të gjithë bashkë do t’i mbështesim të katër skuadrat në këto kompeticione.

Të shijojmë emocionet e Final 4 dhe të kemi një garë sa më kompetitive dhe sa më shumë spektatorë në shkallët e stadiumit” – tha Presidenti Duka në fjalën e tij.

Ndeshja e parë gjysmëfinale, Vllaznia – Dinamo City, do të luhet të dielën, më 4 maj, në orën 20:00. Ndërsa gjysmëfinalja e dytë, Egnatia – Partizani do të zhvillohet të hënën, më 5 maj, në orën 20:00.

Kalimi në finale përcaktohet në 90 minuta. Ekipet fituese kalojnë në finalen për titullin kampion. Në rast barazimi në gjysmëfinale, në finale kualifikohet ekipi i renditur në vendin e parë/dytë, në këtë rast Egnatia dhe Vllaznia.

Të gjitha ndeshjet e fazës “Final 4” do të luhen në stadiumin “Arena Kombëtare”.

 

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu