Kukësi-Vllaznia 3-1
(Shënues: 5′ Eze, 35′ (p) Taipi, 90’+3′ Gavazaj / 51′ (p) Hoxhaj)
E premte, 7 maj2021, ora 18.00, stadiumi “Elbasan Arena” i qytetit të Elbasanit
Kukësi: Xhika, Dragoshi (80′ Baravikas), Demiri, Bytyçi, Kotobelli, Limaj, Taipi (80′ Hetemaj), Tsintsadze, Ibraimi, Peposhi (70′ Gavazaj), Eze.
Trajner: M. Josa
Vllaznia: Zogoviç, Adili, Gurishta, Shehi, Isaevski, Da Silva (14′ Imeri) (46′ Cise), Jonuzi (84′ Kaleziç), Kalaja (46′ Avdijaj), Krymi, Marku (46′ Nija Vexhi), Hoxhaj.
Trajner: Th. Brdariç
GJYQTARË: Kridens Meta, Rejdi Avdo, Denis Agaraj, Florjan Lata
KV: Demiri, Hetemaj / Kalaja, Nija Vexhi
Vllaznia vazhdon të gabojë. Tre ndeshje dhe vetëm një pikë, janë shumë pak për një skuadër që kërkon dhe synon titullin kampion. Nuk mjaftoi humbje me Tiranën në transfertë, barazimi me Teutën në “Loro Boriçi”, por sot kuqeblutë hedhin një hap shumë-shumë të gabuar në përballjen me Kukësin. Edhe pse mundësitë për rikuperim ekzistojnë, humbja me rezultatin 3 me 1 mund të konsiderohet, jo vetëm hap fals, por edhe mbyllje e kapitullit “titull”.
Ndeshja
Sfida e luajtur mbrëmjen e sotme në stadiumin “Elbasan Arena” në fakt filloi më mirë për Vllaznië, e cila e kërkon më shumë se kundërshtari golin e avantazhit. Nga sa është bërë e ditur, njëshi i pankinës kuqeblu, Tomas Brdariç i ka kërkuar futbollistëve të tij që të shënojë sa më shpejt, sepse vetëm kështu mund ta godasin kundërshtarin. Por, atë që e ka kërkuar Brdariç arrijnë ta konkretizojmë futbollistët verilindorë të drejtuar nga trajneri Mirel Josa. Është minuta e 5-të shënuar pas një topi të goditur nga e majta me autor Kotobellin, është Eze që i pambuluar nga mbrojtja kuqeblu godet kokë. Pas fërkimit në shtyllën e djathtë pingule, topi po i drejtohej rrjetës, por, për t’u siguruar plotësisht, Eze ka kohë që të shkojë përsëri tek topi për ta shtyrë në rrjetë. Vllaznia reagon, dhe këmbëngul fort për të gjetur golin e barazimit. I ofrohet jashtë mase teksa godet edhe shtyllën pingule me Da Silvën, ndërkohë që Kalaja dhe Jonuzi nuk arrijnë ta shfrytëzojnë topin e kthyer nga shtylla për ta dërguar në rrjetë.
Kuqeblutë vijojnë ta kërkojnë golin por kukësianët godasin sërish, këtë herë nga pika e bardhë e penalltisë. Në të 35-tën minutë Shehi pengon Ezenë brenda zonës kuqeblu dhe gjyqtari Meta vërshëllen për njëmbëdhjetë metërsh, të cilën e shndërron në gol Taipi. 2 me 0 për Kukësin, rezultat i cili qëndron në fuqi deri në mbyllje të pjesës së parë.
Pjesa e dytë
Pas pushimit dhe patjetër një minianalize motivuese në dhomat e zhveshjes, Vllaznia kthehet në fushën e lojës me një ritëm tjetër. Gjermani i pankinës kuqeblu lëshon tre forca të reja që në start të së dytë ku duket se japin rezultatin e duhur. Presioni sa vjen dhe shtohet në portën kukësiane, pjesë e së cilës është edhe marrja e penalltisë në minutën e 51-të pas një pengimi në zonë të Avdiajt për ta cilën kryesori Kridenc Meta nuk heziton duke akorduar njëmbëdhjetë metërsh, të cilët e kthen mjeshtrit në gol Ardit Hoxhaj.
Me ngushtimin e diferencës së avantazhit kukësian, nga 2-0 në 2-1, loja rihapet sërish. Minutat në dispozicion janë të bollshme që kuqeblutë të gjejnë golin e barazimit dhe më pas për të menduar edhe për fitoren, objektivin me të cilin ishin nisur nga Shkodra. Realisht, Vllaznia ka më tepër volum loje, ndërkohë që regjistron edhe disa momente të rrezikshme në portën kukësiane, por nga ana tjetër Kukësi, përpos se mbrohet me kujdes, në të 65-tën minuta ka mundësinë ideale që përmes kundrasulmit të shpejtë të Peposhit të finalizojë me Ezenë, por pengesë bëhet Zogoviç.
Minutat e fundit janë të përfshira në tension të plotë. Vllaznia që kërkon me çdo kusht të shënojë, madje në një depërtim të Ardit Hoxhajt drejt fundores së djathtë në minutën e 77-të, pas pengimit nga portjeri Xhika, pretendohet për penallti në favor të Vllaznisë. Koha shtesë, e cila nga tre që u akordua fillimisht nga gjyqtari i katërt dhe që me protestën e stafit kuqeblu u shtua në katërt, pritej të shfrytëzohej nga Vllaznia për të barazuar, por ndodhë e kundërta, pasi është Gavazaj që shënon në minutën e 93-të golin e tretë që firmos përfundimisht fitoren e Kukësit me rezultatin 3 me 1.
Më shumë se sa suksesi i kukësianëve që kthehen tek fitorja pas një seri rezultatesh negative, duhet thënë se pesha e kësaj humbje rëndon jashtë mase, madje deri në kufijtë e shkatërrimit të një sezoni, pasi kur për javë e javë të tëra kuqeblutë ishin në majë të klasifikimit, tashmë lëshojnë shumë terren, për të mos thënë se marrjen e 1 pike në 3 ndeshje radhazi i kanë thënë “lamtumirë” titullit kampion.
Gaspër MARKU