Ndonëse në pozita të ndyshme të tabelës së klasifikimit, Apolonia në kufijtë ekstrem të mbijetesës, dhe Laçi për kreun e renditjes, ndeshja e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Loni Papuçiu” të Fierit kishte ekuilibër në vetvete. Realisht, laçjanët ishin më superiorë në fushën e lojës, por për hirë të së vertetes edhe Apolonia pati momentet e saj duke dashtë të tregojë se nuk është një skuadër e dorëzuar, ashtu siç në fakt u paraqit në përballjen me Vllazninë. Për t’u theksuar është se fierakët arritën të godasin shtyllën e portës laçjane, që nëse ai top do të shkonte në rrjetë, gjërat edhe mund të ndërlikoheshin për miqtë.
Ndërkohë, Laçit të drejtuar nga trajneri Shpëtim Duro i ka mjaftuar një gol i shënuar nga Musta në të 48-tën minutë për të kaluar në avantazh. Rezultat ky që qëndron në fuqi deri në përfundim të ndeshjes, edhe pse në minutat e fundit, përfshirë edhe ato shtesë, fierakët i shumëfishuan forcat në kërkim të golit të barazimit, por pa arritur të ndryshojnë asgjë.
Fiton kësisoj Laçi, duke marrë tre pikë të rëndësishme, të cilat e mbajnë mes skuadrave pretendente për një vend në zonën europiane, por pse jo edhe më tej në varësi të rezultateve të rivalëve. Ndërkohë, për Apoloninë, humbja në shtëpi nënshkruan kapitullimin në kategorinë Superiore.