Shi në mes të veres, madje me reshje të rrëmbyeshëm, shoqëruar me stufi. Kjo është ajo që ka përfshirë qytetin e Shkodrës pasditen e së premtes, duke mos kursyer edhe Vllazninë, e cila në ato momente po kryente seancën e radhës në fushën sportive të Golemit.
Intensiteti ka qënë aq i madh, sa është bërë pengese serioze për vazhdimësinë e proçesit stërvitor të kuqebluve. Megjithatë, fatmirësisht, duhet thënë se stuhia është shfaqur kur tekniku Martini kishte konsumuar një pjesë të mirë të programit stërvitor.
Ndërkohë, seanca e fundit stërvitore tre javore e programuar për tu zhvilluar në qytetin e Shkodrës mbyllet sot me seancën e fundit, e cila pritet të jetë me një ngarkesë disi më të lehtë se të tjerat.
Kjo, pasi të dielën, autobuzi kuqeblu do të transportojë skuadrën shkodrane nga Shkodra për në aeroportin “Nënë Tereza” të Rinasit, prej nga do të fluturojë për në Slloveni. Stacionimi do të jetë në kampingun e Mariborit, aty ku falë edhe akomodimit të disa skuadrave të tjera të huaja që përgatiten për Kupat e Europës, drejtuesit kanë planifikuar zhvillimin e 4 ndeshjeve miqësore për kolaudimin e skuadës në prag 10 korrikut, ditës kur Vllaznia do të presë në “Elbasan Arena” letonezët e BFC Daugavpils për llogari të Turit të parë, në kompeticionin “Conference League”.