Shpëtim Duro nuk është më trajner i Besës. Tekniku i mirënjohur e me shumë eksperiencë në futbollin shqiptar ka vendosur të ndërpresë bashkëpunimin me klubin kavajas pas humbjes në mesjavë ndaj Apolonisë me rezultatin 2-0.
Shpëtim Duro mori drejtimin e skuadrës në javën e tretë të kampionatit me shpresën për ta ringritur e për të luftuar për objektiva madhorë, por rezultatet nuk ishin të pritshme. Kësisoj, 65-vjecari prej javësh kishte pranuar hapur vështirësitë që kishte për të drejtuar këtë grup lojtarësh me të cilët u ishte gëzuar vetëm 3 fitoreve, po kaq barazime, ndërsa ka pësuar 6 humbje.
Tani mbetet të shihet se kush do të marrë drejtimin e Besës, në kërkim të trajnerit të tretë të sezonit pas Emiljano Çelës dhe Shpëtim Duros, edhe pse nuk është arritur ende gjysma e kampionatit. Një skuadër e mirë investuar, Besa pas 14 javësh kampionat, pozicionohet në zonën e Play-Out-it në vendin e 9-të me 14 pikë.



