Vllaznia humbet çdo gjyq në FIFA. Klubi shkodran duhet të paguajë 11.499 euro për Kahrimanoviç, plus interesa dhe 2000 dollarë gjobë. Vendimi i Dhomës për Zgjidhjen e Mosmarrëveshjeve të FIFA-s i jep të drejtë Amir Kahrimanoviç në përplasjen fi nanciare me Vllazninë. Ishfutbollisti kroato-boshnjak kërkoi pagesat e prapambetura për prill, maj dhe qershor 2025 dhe institucioni i FIFA-s ka vendosur që klubi shkodran t’i paguajë 11.499 euro neto, së bashku me 5% interes në vit.
Por problemi për Vllazninë nuk mbaron këtu. Për shkak të shkeljeve të përsëritura, klubi është gjobitur edhe me 2000 dollarë. KAHRIMANOVIÇI FITOI BETEJËN Një tjetër çështje kontraktuale i kushton shtrenjtë Vllaznisë. FIFA ka publikuar vendimin për çështjen “21898”, ku palët ishin ish-lojtari Amir Kahrimanoviç dhe klubi shkodran. Futbollisti kishte një kontratë me Vllazninë për sezonin 2024/2025, me një shpërblim mujor prej 3833 eurosh neto, të ndarë në 2500 euro pagë dhe 1333 euro dietë.
Pas përfundimit të marrëdhënies me klubin, lojtari iu drejtua FIFA-s duke pretenduar se nuk kishte marrë pagesat për tre muajt e fundit. Shuma e kërkuar ishte 11.499 euro. Në fund, FIFA i ka dhënë të drejtë lojtarit.
KLUBI: PRILLIN E KEMI PAGUAR
Në mbrojtjen e tij, Vllaznia argumentoi se pagesa e muajit prill ishte kryer në dorë. Për ta mbështetur këtë pretendim, klubi paraqiti një mandat-arkëtim. Megjithatë, kjo provë nuk u pranua nga FIFA. Arsyeja ishte se dokumenti nuk ishte dorëzuar i përkthyer në një nga gjuhët zyrtare të institucionit. Për rrjedhojë, FIFA vlerësoi se Vllaznia nuk kishte arritur të provonte në mënyrën e kërkuar se pagesa ishte kryer. Pra, edhe pse klubi pretendoi se detyrimi i prillit ishte shlyer, në dosjen e shqyrtuar nga FIFA kjo pagesë mbeti e paprovuar.
12 MAJI NUK E MBYLLI KONTRATËN
Një tjetër pikë ku Vllaznia nuk arriti të bindë FIFA-n ishte periudha e pagesës. Klubi pretendoi se Kahrimanoviç duhej të paguhej vetëm në mënyrë proporcionale deri më 12 maj 2025, datë e ndeshjes së fundit të sezonit për Vllazninë, pas së cilës lojtari u largua. Por FIFA iu referua të dhënave të sistemit “TMS”, ku sezoni zyrtar rezultonte i regjistruar deri më “30 qershor 2025”. Kjo bëri diferencën. Sipas vendimit, fakti që Vllaznia e kishte luajtur ndeshjen e fundit më 12 maj nuk ndryshonte datën zyrtare të përfundimit të kontratës. Për këtë arsye, Kahrimanoviç kishte të drejtë të kërkonte pagesat deri në fund të qershorit. Kështu, në llogari mbetën të plota pagesat e “prillit, majit dhe qershorit”.
EDHE 4000 EUROT E PENALITETIT BIEN
Vllaznia tentoi të kundërpeshonte kërkesën e lojtarit me një tjetër pretendim. Klubi kërkoi aplikimin e një penaliteti prej 4000 eurosh, të parashikuar në kontratë për moskthimin e pronës apo pajisjeve të klubit. Por edhe kjo kërkesë u rrëzua.
FIFA e konsideroi penalitetin “joproporcional”, ndërsa vlerësoi se klubi nuk kishte paraqitur një inventar të saktë që të përcaktonte qartë pajisjet e pretenduara si të pakthyera dhe vlerën e tyre. Në këtë mënyrë, Vllaznia nuk mundi të zbriste 4000 euro nga shuma që i detyrohej ish-lojtarit. Vendimi final është i qartë. Vllaznia duhet t’i paguajë Amir Kahrimanoviç 11.499 euro neto, për pagat e prapambetura të prillit, majit dhe qershorit 2025.
Mbi këto shuma aplikohet edhe 5% kamatëvonesë në vit, duke nisur nga datat përkatëse të maturimit. Por FIFA ka vendosur edhe një tjetër masë ndaj klubit shkodran.
2000 DOLLARË GJOBË PËR FIFA-n
Për shkak të vonesave të përsëritura dhe faktit se bëhet fjalë për “shkeljen e tretë brenda dy viteve”, Vllaznia është gjobitur me 2000 dollarë. Kjo shumë nuk i shkon lojtarit, por duhet të paguhet në FIFA.
(Panorama Sport)


