Vllaznia-Partizani 0-3(21-25, 21-25, 14-25)
Pas dy fitoreve radhazi në transfertë me ekipet kosovare, Skënderbeu dhe Ferizaj, Vllaznia e volejbollit meshkuj është ndalur në ndeshjet e treta të Ligës “Gjergj Kastrioti”.
Kjo ka ndodhur mbrëmjen e së mërkurës në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës, teksa kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Artan Kalaja është mundur nga Partizani me rezultatin 0 me 3.
Teksa shikon rezultatin, të duket se ka qënë një ndeshje pa histori dhe e dominuar tërësisht nga Partizani, por për hirë të së vertetes gjatë dy seteve të para, në fushën e lojës është parë një Vllazni ambicioze dhe rivalizuese e denjë e Partizanit potent të drejtuar nga tekniku i mirënjohur, Ylli Tomorri.
Madje, në setin e parë, ndeshja u ndërpre për rreth 4 minuta, pasi Vllaznia kishte pretendime ndaj gjykimit për një vendosje të parregullt të lojtarëve të Partizanit në fushë që regjistroi pikën e 21 të avantazhit për Partizanin duke i dhënë mundësi miqve të fitojnë me rezultatin 21-25.
Rivaliteti Vlllaznia-Partizani vijoi edhe në setin e dytë, i cili arrin të fitohet përsëri nga Partizani me të njëjtat shifra, 21-25.
Humbja e dy seteve të para, si dhe pretendimet ndaj gjykimit, të cilat për hirë të së vertetës vijuan edhe në setin e dytë, ndikojnë tek Vllaznia, e cila në setin e tretë bie shumë moralisht duke ia bërë më të lehtë fitoren Partizanit, i cili duke mbyllur setin e tretë 14-25, fiton të gjithë ndeshjen me rezultatin e pastër 0 me 3.
Në prononcimet e dhëna pas ndeshjes, të cilat së bashku me ndeshjen Vllaznia-Partizani, mund t’i ndiqni të plota në kanalin tonë zyrtar Veriu Sport, trajneri i kuqebluve Artan Kalaja, pranoi forcën e Partizanit, por ndërkohë pati rezerva për gjykimin e ndeshjes.
Për teknikun e Partizanit, Ylli Tomorri e meritoi fitoren e ndeshjes, por ndërkohë përcolli vlerësime për Vllazninë, e cila me të drejtë në dy ndeshjet e mëparshme të transfertës kosovare, doli fituese.



