Sunday, December 14, 2025

(Intervista) Kujtim Shaba për Vllazninë: Shkodranët jashtë forme, duhet burrëri si dhe reagim. Ndaj Bylisit presim kthesen te fitorja”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Ish-administratori i Vllaznisë, Kujtim Shaba ka folur së fundmi për gazetën “Panorama Sport”. Në fjalët e tij shkodrani është ndalur tek ndeshja e fundit e humbur e kuqebluve ndaj Elbasanit në shifrat 1-0. Sipas Shabës, skuadra nuk po kalon një moment të mirë, por dha disa shenja pozitive kundër Elbasanit. Ndër të tjera ish-mbrojtësi thekson se këto janë situata që i kalon çdo ekip përgjatë sezonit, por duhet gjetur reagim i duhur për të dalë nga ky moment i vështirë. Në fjalët e tij ai tregon se ajo që bën diferencën në këto momente është karakteri dhe grinta, teksa po ashtu komenton edhe ndeshjen e rradhës me Bylis ku thotë se për kuqeblutë vlen vetëm fitorja dhe asgjë tjetër.

Shaba, si e analizoni ndeshjen e fundit, Elbasani-Vllaznia e humbur 0-1 nga shkodranët?

Them se ishte një ndeshje e fortë, e luftuar nga dy ekipe që pretendojnë titullin kampion këtë edicion. Pashë pak diferenca në fushën e lojës pavarësisht se Vllaznia u ndëshkua shumë shpejt me karton të kuq. Por, sërish Vllaznia nuk është aty ku duhet dhe ku ne presim në Shkodër, pavarësisht se dha shenja pozitive për mua në Elbasan. Dhe shpresoj që ato shkëndija të shërbejnë në ringritjen e skuadrës sa më shpejt të jetë e mundur.

Kishte shumë polemika për arbitrimin, ndani të njëjtin mendim edhe ju?

Arbitri ndoshta gaboi në disa momente, por nuk duhet të “kapesh” vetëm aty. Patjetër gjyqtarët nuk duhet të ndikojnë me vendimet e tyre sepse edhe prishin një ndeshje që luhej mes rivalëve direktë. Por, sërish duhet të mos justifikohesh me vendimet e gjyqtarëve që në një ndeshje tjetër mund të jenë në favorin tënd.

E shikon si emergjente këtë gjendje të Vllaznisë?

Shiko, këto situata i kalon çdo ekip gjatë kampionatit dhe ata që merren me futboll e dinë më së miri diçka të tillë. Nuk e shikoj si shumë emergjente, por që duhet gjetur zgjidhja për të dalë sa më shpejt nga ky moment. Kjo sepse kampionati bëhet shumë më i egër në javët e ardhshme edhe pas janarit, e pastaj do jetë e vështirë të rikuperosh pikët e lëna rrugës. Sidomos kur edhe rivalët e tu po marrin pikë nga ndeshja në ndeshje.

Si mund të dalë nga kriza skuadra në këto momente?

Me shumë karakter dhe grintë, këtu bëhet diferenca mes një ekipi që vetëm “merr” pjesë në kampionat dhe një ekipi që ka pretendime për titullin kampion. Vllaznia duhet të tregojë vlerat siç bëri në fazën e parë dhe them se mundësitë i ka. Tashmë duhet kaluar momenti i vështirë psikologjik dhe kjo bëhet duke treguar burrëri në fushën e lojës dhe shumë luftë sportive. Ndryshe skuadra do ngelë sërish në këto ujëra të turbullta.

Sa besim ke personalisht tek ky ekip?

Kam shumë besim, e thashë kjo skuadër tregoi shumë në fazën e parë të kampionatit. Janë të njëjtët lojtarë dhe staf teknik, të cilët duhet të gjejnë zgjidhjen e “ngërçit”. Nuk shikoj asgjë të pamundur, për mua sërish Vllaznia ngelet ekipi më i mirë dhe i kompletuar në kampionat e po ashtu pretendenti numër një për fitimin e titullit në fundin e edicionit.

Ndeshja e radhës me Bylis, çfarë duhet të presim nga Vllaznia?

Asgjë përveç fitores, asgjë tjetër s’ka rëndësi dhe nga ky takim duhet të nisë kthesa e skuadrës. Pastaj për t’u futur në rrugën e duhur dhe bërë një mbyllje siç duhet vitit 2025 ku do ketë edhe dy ndeshje të tjera deri në fundin e tij pas kësaj me ballshiotët.

ENDRI ÇINARI

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img