Është mbyllur në barazim 1-1 sfida Teuta-Tirana, e vlefshme për javën e 16-të të kampionatit Abissnet Superiore. Gjithçka është vendosur në pjesën e parë: Tirana ka kaluar në avantazh me Ndong, por durrsakët kanë barazuar shifrat me Beshirajn, që realizon nga pika e bardhë e penalltisë.
Sfida e transmetuar në RTSH Sport ka qenë e bukur dhe e luftuar. Tirana gjen shumë shpejt golin me një kundërsulm që finalizohet nga Ndong. Bardheblutë shënojnë sërish, por goli i Falaje anulohet për pozicion jashtë loje.
Teuta dominon fushën dhe fiton një 11-metërsh, që kthehet në gol nga Beshiraj. Pjesa e parë mbyllet në barazim 1-1.
Tirana proteston dhe nuk del në fushë në pjesën e dytë në shenjë proteste ndaj vendimeve të gjyqtarit. Pas 10 minutash rifillon takimi. Teuta është më kërkuese në 45 minutat e dyta, por nuk arrin që të gjejë golin e avantazhit. Mbyllet në barazim 1-1 sfida në “Niko Dovana”, me dy skuadrat që detyrohen të ndajnë nga një pikë.
Teuta ngjitet në kuotën e 24 pikëve, ndërsa Tirana shkon 8 pikë, por vazhdon që të qëndrojë në vendin e fundit në tabelën e klasifikimit.



