Sunday, November 24, 2024

Tjetër trofe në Shkodër. Brenda 24 orëve, nga Vllaznia e madhe tek Vllaznia U-19, kuqeblutë fitojnë dy finalet e Kupave të Shqipërisë

Lexo

Vllaznia – Tirana 1:0

(Shënues: Delaj 24’)

E martë, 1 qershor 2021, ora 17.00, stadium “Elbasan Arena” i Elbasanit

Vllaznia: Leonard Kaçaj, Arsen Elbasani, Geralb Smajli, Klejdi Paloka, Flori Spahija, Gledjan Pusi, Antonio Delaj, Demjo Mlloja, Rejan Alivoda, Paulo Pjeshka, Arjet Bizi. Trajner Luan Zmijani

Pa u shuar jehona e suksesit të Vllaznisë së madhe, e cila pasi mundi 0-1 Skënderbeun në finalen e luajtur në “Air Albania” u shpall fituese e Kupës së Shqipërisë, janë 19 vjeçarët kuqeblu që brenda 24 orëve bëjnë të njëjtën gjë. Vllaznia U-19 e drejtuar nga trajneri Luan Zmijani ka mposhtur në finale Tiranën duke bërë të veten trofeun e Kupës së Shqipërisë sezoni 2020-2021.

90-të minutat e luajtura pasditen e së martës në stadiumin “Elbasan Arena” janë mbyllur me rezultatin 1 me 0 për Vllazninë. Autor i golit të fitores për skuadrën kuqeblu është Antonio Delaj, i cili finalizoi me mjeshtri aksionin kuqeblu të minutës së 24-të. Me avantazhin 1 me 0 për Vllazninë mbyllet pjesa e parë, ndërkohë që pas pushimit mes dy pjesëve loja bëhet edhe më e bukur.

Bardheblutë janë në kërkim të golit të barazimit, por nga ana tjetër kuqeblutë vazhdojnë të luajnë mjaft mirë. Jo vetem që arrijnë ta mbajnë në fuqi avantazhin e pjesës së parë, por me depërtimet e fuqishme të sulmuesit Ardit Nikaj i aktivizuar në pjesën e dytë, si dhe autorit të golit të avantazhit Antonio Delaj shfaqen shumë pranë golit të dytë dhe të sigurisë.

Minutat e fundit të krejt takimit janë jo pak tensionuese për Vllazninë, pasi në kohën shtesë Tirana i ofrohet shumë golit të barazimit, dhe nëse topi i gjuajtur nga futbollistët bardheblu nuk shkon në rrjetë, merita i takon plotësisht portjerit Leonard Kaçaj që me një paradë tokazi në minutat shtesë e largon topin nga vija fatale e portës së tij. Megjithatë, ndeshja mbyllet me topin në zotërim të kuqebluve, të cilët po këmbëngulnin për golin e dytë në portën tiranase.

1 me 0 për Vllazninë, duke përligjur kështu vlerat e kësaj skuadre, e cila jo vetëm që e meritoi trofeun, por për hirë të së vertetes, si kampione e zonës së Veriut për Grupin A kishte premisa për të shkuar edhe tek trofeu i madh kampion i Shqipërisë, por u ndal në takimin e parë të fazës Play-Off nga Akademia e Futbollit Tirana, ekip që duke mundur në finale Shënkollin U-19 u shpall kampion i sezonit 2020-2021.

Në përfundim të krejt ndeshje, nga ana e Federatës Shqiptare të Futbollit është organizuar ceremonia e mbylljes së aktivitetit, ku pas medaljeve për secilin pjesëtar të kuqebluve, ka ardhur momenti kur kapiteni i 19 vjeçarëve kuqeblu, Arsen Elbasani, mori në dorëzim trofeun e Kupës së Shqipërisë 2020-2021.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img