Presidenti i Federatës Shqiptare të Futbollit, Armand Duka, ishte i ftuar në emisionin “Mirëmbrëma yje”, të moderuar nga Arbana Osmani, ku zhvilloi një intervistë të gjerë dhe të veçantë.
Në një rrëfim të hapur dhe reflektues, ai ndau me publikun aspekte nga jeta personale, filozofia e drejtimit dhe vizioni për zhvillimin e futbollit shqiptar.
Gjatë bisedës, Presidenti Duka u ndal te puna e përditshme në krye të Federatës, te progresi i futbollit kombëtar dhe ambicia për kualifikimin e Kombëtares shqiptare në Kampionatin Botëror, një objektiv që, sipas tij, mbështetet në punën e vazhdueshme dhe potencialin real të skuadrës.
Rubrika me foto
Çfarë të bën të ndjesh “Beogradi” – Ka qenë një nga ditët e mia më të vështira në futboll. Në momentin që ka hyrë ai flamur në stadium, nuk e kam kuptuar se si. Kam ndjerë frikë, jo për vete, por për përgjegjësinë që kisha dhe ndjeja frikë për të gjithë çunat që kisha aty.
Kampionatin Europian U-21 e shoh si një zhvillim shumë pozitiv, është aktiviteti i dytë më i rëndësishëm që zhvillon UEFA pas ekipeve të para. Shqipëria ka një shans të artë për ta zhvilluar këtë dhe është një shans historik. Ne do ta shfrytëzojmë dhe organizojmë shumë mirë dhe do t’i bëjmë të gjithë që të ndjehen shumë mirë dhe të shohin futboll.
Çfarë të bën të ndjesh “Rei Manaj” – Goli i Manajt është me shumë peshë. Akoma edhe më shumë se tre pikët. Ja kam thënë këtë edhe Reit. Dhe mënyra e festimit që ka bërë është fantastike. Këtë duhet ta mbajë në kornizë gjatë gjithë jetës tij. Nuk mendoj se do të bëjë diçka më të bukur se kjo. Uroj që po.
Çfarë të bën të ndjesh “përfaqësuesja e Kosovës“ – Ka një skuadër të mirë. Një pjesë e tyre ka luajtur edhe për Kombëtaren shqiptare. Rrahmani, Rashica, Muriqi.
Shqipëria apo Kosova? Ne jemi më të mirë se Kosova. Por Kosova ka futbollistë të mirë, është në play-off. Në një histori kaq të shkurtër, me kaq pak eksperiencë të shkosh në play-off është një sukses i madh dhe është një moment që duhet ta jetojnë dhe të vazhdojnë ta synojnë Botërorin.
A duhet të kemi një Kombëtare? – Ne duhet të kemi një Kombëtare. Por kjo nuk varet as nga unë dhe as nga ti. Unë kështu e mendoj, por nuk kemi gjë në dorë. Për sa kohë jemi dy shtete më një komb, do kemi dy ekipe, dy kampionate. Nëse jemi bashkë jemi një vend më i madh, kemi potencial më shumë, jemi treg më i madh. Në të gjitha këndvështrimet është më mirë mendoj, jo vetëm në futboll.
Çfarë të bën të ndjesh “Tifozat Kuqezi” – I kemi prishur pak marrëdhëniet kohët e fundit për arsye të pranisë së tyre në stadium. Kjo nuk ka të bëjë në marrëdhënien personale. Ka disa rregulla që ne duhet t’i respektojmë. Ne e vlerësojmë mbështetjen dhe kontributin e çdo tifozi që vjen në stadium. Por ne dëshirojmë një nivel dhe një ambient më të kulturuar në stadium.
Çfarë të bën të ndjesh “Gianni De Biasi” – Trajner shumë i mirë. Mik shumë i mirë. I dashur për ambientin shqiptar, e respektojnë shumë. Por edhe ai na respekton shumë. Është i pranishëm në të gjitha ndeshjet tona të Kombëtares dhe kam marrëdhënie shumë të mira me të. Gianni ka ngjitur shumë në Shqipëri. Edhe Silvinjon e duan shqiptarët. Janë dy trajnerët të cilët kanë çuar Shqipërinë në finalet e Europianit dhe pa dyshim që ne i jemi shumë mirënjohës.
Çfarë të bën të ndjesh “Edi Rama” – Kryeministri. Ky nuk është trajneri, ky është i pari i vendit. Kam marrëdhënie shumë të mira institucionale me të, me qeverinë. Jam përpjekur që të kem gjithmonë të njëjtën marrëdhënie, pavarësisht se qeveritë ndonjëherë nuk kanë pasur të njëjtën qasje me mua. Si trajner i qeverisë, më duket shumë i mirë. Por nuk jam unë ai që mund ta vlerësoj, sepse nuk e njoh shumë nga afër punën e qeverisë. Në lidhje me sportin, na ka ndihmuar. Ka edhe një gjë tjetër që duhet të na ndihmojë tani. Me ligjin e sponsorizimeve. Por kemi bashkëpunuar për ndërtimet e stadiumeve, për ndryshimin në infrastrukturës. Tani duhet të bashkëpunojmë për ndryshimin e infrastrukturës ligjore që na e ka premtuar dhe uroj e besoj që do të na e bëjë. Unë kam bashkëpunuar me katër kryeministra.
Nëse do ishit trajner, cila do ishte Kombëtarja më e mirë e të gjitha kohërave – Duhet ta mendoj gjatë, pasi jam shumë i sigurt që do gaboj. Ne kemi pasur shumë futbollistë të mirë. Është e vështirë të bëj 11-shen tani. Se duhet të mendohem gjatë.
A e mendon Igli Tare si President? – Çdo njeri mund të mendojë të bëjë çdo lloj pozicioni, jo veç president. Me eksperiencën që ka fituar në menaxhimin e futbollit atje, mund ta sjellë edhe në Shqipëri. Qoftë në federatë, në një klub apo kudo tjetër. Federata e Futbollit është një aktivitet shumë i gjerë. Duket vetëm si kampionat i Kategorisë Superiore, por sot FSHF organizon 600 ndeshje në javë, ku aktivizohen rreth 4000 zyrtarë. Por këta nuk menaxhohen vetëm me gishta, duhen edhe para. Duhen prodhuar para, duhet prodhuar një ekonomi. Sot FSHF është një institucion solid, me baza të shëndosha financiare dhe ka një të ardhme të sigurt. Unë e konsideroj si një nga gjërat më të mira të FSHF. Është një institucion që mund të vazhdojë të përballojë në të ardhmen.
Rëndësia e parasë – Pa para është e vështirë të ketë zhvillim. Është njësia matëse e vlerës së punës tënde. Që t’i japësh vlerë punës tënde, duhet ta këmbesh me para dhe ato para t’i kthesh në zhvillim.
Urimi për të gjithë ata që ndjekin Kombëtaren dhe të gjithë aktivitetet e FSHF-së – Jemi në periudhë festash dhe para se t’i uroj dua t’i falënderoj të gjithë ata që kanë bashkëpunuar me ne, me FSHF, të gjithë ata që kanë kontribuuar për futbollin në Shqipëri. T’i kërkoj falje për gjërat që kemi gabuar, sepse pa dyshim kemi bërë gabime apo për mosrealizimin e pritshmërive. Por dua t’i garantoj që jemi munduar të bëjmë më të mirën.
Dua t’i uroj dhe t’i premtoj që do bëj më të mirën për vitin e ardhshëm. Të kalojmë festa sa më të mira, të kalojmë sot darkën e Krishtlindjeve në familje dhe të presim vitin 2026 me shëndet të plotë dhe me sa më shumë suksese. Urojmë që ekipi kombëtar të shkojë në Botëror. Besoj se kjo është dëshira e të gjithë shqiptarëve. Gjëja më e bukur që ne kemi sot është ekipi kombëtar.



