Kombëtarja shqiptare ka mbërritur në Uells, ku të shtunën, datë 5 qershor, do të luajë ndaj vendasve në miqësore. Delegacioni kuqezi është akomoduar në Kardif, ndërkmohë që Zyra e shtypit në FSHF bën me dije se trajnerit Edoardo Reja do t’i mungojë një tjetër element i rëndësishëm për këto dy takime. Mesfushori Odise Roshi ka pësuar tërheqje muskulore gjatë seancës stërvitore të ditës së hënë dhe i është nënshtruar menjëherë vizitave të specializuara mjekësore. Duke parë gradën e dëmtimit, stafi mjekësor i Kombëtares ka vendosur që lojtari të qëndrojë pushim dhe të mos jetë i gatshëm për dy miqësoret ndaj Uellsit dhe Republikës Çeke. Kësisoj, Roshi nuk ka udhëtuar me skuadrën drejt Uellsit.
Kqezinjtë tanë kanë zhvilluar të martën pasdite seancën e parë stërvitore në Uells në ambientet e parkut sportiv të “University of South Ëales”. I gjithë grupi ka qenë në dispozicion të trajnerit Edoardo Reja dhe stafit të tij, duke kryer një seancë të lehtë dhe me pak ngarkesë fizike.
Lojtarët kanë zhvilluar më shumë ushtrime me topin, ndërkohë që për momentin nuk ka asnjë problem fizik për grupin që ndodhet në grumbullim.
Për t’u theksuar është se të gjithë pjesëtarët e delegacionit sportive shqiptar i janë nënshtruar testeve anti-Covid një ditë më parë para udhëtimit dhe kanë rezultuar negativë.
Nga lista e shpallur disa ditë më parë mungojnë Etrit Berisha, Elseid Hysaj dhe Odise Roshi, të cilët nuk do të jenë të gatshëm për shkak të problemeve fizike, ndërsa Armando Broja do të jetë pjesë e Kombëtares U-21 për ndeshjen ndaj Andorrës, e vlefshme për eliminatoret e Europianit 2023 të 21-vjeçarëve.