Eliminimi nga Tirana në Kupën e Shqipërisë ishte një përballje e rëndësishme për Skënderbeun, sipas trajnerit Ernest Gjoka. Ai e cilësoi ndeshjen si një provë të fortë për ekipin dhe nuk e shikoi kualifikimin e munguar si një peng të madh.
“Të vjen keq se erdhi momenti që me pak kujdes edhe mund ta kalonim këtë ndeshje. Por gjithsesi ky ishte një test gjeneral për ne, sepse vëmendja dhe përqendrimi është aty ku kemi marrë përsipër disa objektiva. Por në përgjithësi ishte një ndeshje e mirë, e bukur, sidomos gjatë pjesës së dytë, ishte më ndryshe për ne dhe kishte më shumë frymëmarrje.
Pjesa e parë ishte më ndryshe për ne pasi nuk dinim asgjë për lojtarët që kishte debutues Tirana dhe ndoshta sa i kuptuam. Mendoj se skuadra bëri mirë disa pjesë loje. Po të kishim qenë pak më cinikë para portës, ndoshta sot do e kishim fituar ndeshjen. Por e uroj Tiranën dhe suksese për të në vazhdim.
Nuk është çështje personaliteti, mendoj se ishte një test i mirë gjeneral, për të parë veten, për të testuar forcat, për të parë për të ardhmen se ku jemi, lojtarët që kemi, etj. Janë shumë gjëra në kompleks.
Edhe po të mos ishte ndeshja e Kupës, sot do të kishim bërë ndeshje miqësore me ekipet e Superiores. Ishte kjo ndeshje zyrtare, test më i mirë se ky nuk mund ta gjenim dot”, tha Gjoka për RTSH pas ndeshjes.



