KF Shiroka është e dashuruar me trajnerët e huaj. Ndonëse në kategori të tretë, Presidenti Ergi Axhani së bashku me menaxherin Ervis Domnori preferuan të kishin në krye të stafit teknik trajnerin italo-argjentinas, Matias Tatangelo.

Një trajner ky që së bashku me bashkëpunëtorin e tij më të ngushtë, shkodranin Ardit Mani, ia dolën duke e rritur Shirokën në nivele të larta, ku n mbyllje të fazës së parë u renditën në vendin e tretë të Kategorisë së Dytë, Grupi A.
Puna e mirë me Shirokën duke e ngritur në nivele pretenduese për Kategorinë e Parë rriti ndjeshëm vlerat e teknikut argjentinas Tatangelo, duke bërë që vemendja dhe ofertat e ekipeve të kategorisë së parë dhe më gjërë të ishin prezente, dhe më të shpejtët u treguan drejtuesit e Ilirisë duke i besuar drejtimin e skuadrës së kategorisë së parë.
Pa humbur kohë, me largimin e Tatangelos, dyshja Axhani-Domnori sollën në Shkodër dy trajnerë portugezë, si Andre Jasmis, i parë dhe Pedro Miranda ndihmës.
Puna e tyre profesionale spikati gjatë periudhës së fazës përgatitore dimërore, një pjesë në Shkodër dhe pjesa tjetër në Durrës, ndërkohë që në ballafaqimet miqësore u regjistruar rezultate pozitive.
Kaq mjaftoi, sa në “deren” e Shirokës trokasin klube të niveleve të Superiores, ku me njërin prej tyre, atë Superligës së Omanit, arritën marrëveshjen për transferimin e trajnerit Andre Jasmis dhe ndihmës-trajnerit Pedro Miranda.
“KF Shiroka njofton se ka arritur marrëveshje me një klub të Superligës së Omanit për transferimin e trajnerit Andre Jasmis dhe ndihmës-trajnerit Pedro Miranda.
Palët kanë rënë dakord për transferimin e stafit teknik drejt Superligës së Omanit. Gjatë periudhës së tyre në KF Shiroka, trajneri Andre Jasmis dhe ndihmësi i tij Pedro Miranda kanë treguar profesionalizëm dhe përkushtim për ekipin tonë
KF Shiroka i falënderon për kontributin dhe angazhimin e dhënë dhe u uron suksese në vazhdim të karrierës së tyre profesionale”, citohet në njoftimin zyrtasr të KF Shiroka.
Për momentin, kur duhen edhe dy ditë për të nisur faza e dytë dhe Shiroka luan përballë një kundërshtari të fortë si Luzi i Vogël 2008, ekipin shirokas është nën mbikqyrjen e drejtorit teknik Ardit Mani, i cili po kryen edhe seancat stërvitore me ekipin, ndërkohë që nuk është akoma e qartë, nëse drejtuesit e klubit do të vijojnë me preference për të sjellë përsëri trajnerë të huaj në Shkodër, apo do t’ia besojnë trajnerëve shkodranë.
Gaspër MARKU


