Kampionati Kombëtar Individual Dimëror i Atletikës, është aktiviteti i parë që Federata Shqiptare e Atletikës organizoi me fillimin e vitit 2026. Aktivitet ky i zhvilluar në stadiumin “Elbasan Arena” në të cilin konkuruan 14 ekipe me rreth 150 atlete.
Ashtu si edhe në garat e mëparshme, ekipi i Vllaznisë i drejtuar nga kryetrajneri Albert Marashi dhe kolegët e tij Bruno Rrotani, Dorjan Tafa, Jetmir Jahaj, dominoi duke spikatur si ekipi më i mirë i kampionatit.
Si zakonisht, figurën më të mirë sportive, jo vetëm nga Vllaznia, por edhe në shkallë kombëtare e ka bërë atleti i talentuar shkodran Franko Burraj. Pavarësisht nga kushtet atmosferike jo të favorshme, me reshje shiu dhe erë, Franko arriti shpallet fitues i vendit të parë në garën e tij të preferuar, atë të vrapimit 400 metra duke e shpallur atë sportistin më të mirë të kampionatit.
Kampionët nga radhët e Vllaznisë vijuan edhe në garat e tjera duke nisur nga Durjon Idrizaj, i cili zurin vendin e parë në garën e vrapimit të 60 metrave me pengesa, i ndjekur nga kolegu i ekipit të tij Vllaznia, Ergi Dallnesi, i cili u rendit në vendin e dytë.
Gara e vrapimit të 60 metrave, por në vrapim të lirë pa pengesa, kampion u shpall Leandro Çardaku i Vllaznisë, i cili zuri vendin e parë në këtë disiplinë. Në garën e vrapimit 800 metra, protagonist ishin dy atletët shkodranë Sidrit Kopliku dhe Elsar Balaj.
I pari, Kopliku duke u shpallur kampion, ndërkohë që Balaj, ndonëse në një moshë më të re nga rivalët e tjerë, u rendit i dyti duke konfirmuar perspektiven e tij për vazhdimësinë.
Atletët shkodranë ishin protagonist kryesor edhe në garat e kërcimeve. Në Kërcim së Gjati, figurën më të mirë sportive e bëri Muhamet Çangeli që u shpall kampion i ndjekur nga Endri Rakaj dhe Mario Cepi të renditur në vend të dytë dhe të tretë. Po kështu edhe garën tjetër Kërcim Trepahësh, është Kolindo Kiri që shpallet kampion, ndërkohë që Muhamet Çangeli dhe Mario Cepi, janë në vend të dytë dhe të tretë. Vllaznia spikat edhe në garën e Kërcimit së Larti me atletin Glenis Haxhiaj që renditet i pari duke u shpallur kampion, për të vijuar me të njëjtin sukses edhe në konkurimin për femra, ku atletet Erisa Rrasa dhe Elois Heta ngjiten në podiumin e fituesve.
Rrasa, rrëmben dy vende të para duke u shpallur kampion në Kërcim së Gjati dhe Tre Hapësh, ndërkohë që Elois Heta, një atlete e re me shumë perpsektivë, e cila po vazhdon me shumë passion traditën e gjyshit të saj Vildan Tufi, u rendit në vendin e dytë në Kërcimin 3-Hapësh.
Gjatë një prononcimi për median, presidenti i Federatës Shqiptare të Atletikës, shkodrani Izmir Smajlaj, vlerësoi angazhimin e sportistëve pjesëmarrës, ndërsa bëri të ditur se Kampionati Kombëtar Individual Dimëror ishte një test kryesor duke shërbyer edhe si kualifikuese për formimin e listës së ekipit kombëtar që do të marrë pjesë në Kampionatin Ballkanik të Sallave të Mbyllura, që do të mbahet më 23 shkurt në Beograd, Serbi, ndërkohë që bëri të ditur edhe pritshmëritë e atletëve kuqezi në aktivitetet e ardhshme ndërkombëtare.
(Video) Pamje nga Kampionati Kombëtar Individual Dimëror i Atletikës. Dominojnë, zhvilluar në Elbasan, si dhe prononcimi i Presidentit të Federatës Shqiptare të Atletikës, Izmir Smajlaj, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU



