Merkato e Besëlidhjes me në krye drejtorin sportiv Renato Malota në bashkëpunim me trajnerin Elvis Plori ka ndërtuar një skuadër, e cila që në fazën e parë dha sinjalet e saj të drejtpërdrejta ku si kryesues i grupit A të kategorisë së Dytë është kandidatura numër një për kalimin në të parën.

Por, me çfar po konstatohet edhe në ekipet rivale të të këtij grupi, Sopoti dhe Shiroka, të cilat po forcohen jo pak në merkaton dimërore, faza e dytë pritet të jetë shumë luftarake mes këtyre dy skuadrave për një biletë në të parën.

Në këtë këndvështim, Besëlidhja është një hap para, ndërkohë që edhe sipas deklaratave të mëparshme të drejtorit Malota, lezhjanët janë duke menduar që tani për ndërtimin e skuadrës së sezonit të ardhshëm të kategorisë së parë.
Krahas lojtarëve me përvojë disa vjeçare në Superligën e Shqipërisë, atë të Kosovës dhe më gjërë, drejtuesit e Besëlidhja po i kushtojnë kujdes edhe elementit të ri me perspektive.
Dhe, njëri prej tyre është edhe talenti 17-vjeçar i Akademisë së Futbollit Vllaznia, Flavio Fushaj, i cili gjatë fazës së parë ishte protagonist me golat e tij edhe në radhët e Vllaznisë B të kategorisë së tretë, ndërkohë që ka qënë kontigjent i ekipeve kombëtare të moshave.
Firmosja me këtë futbollist shtalartë 1.94 konsiderohet si një nga sukseset e radhës të klubit lezhjan, produktet e të cilit nuk do të vonojnë të dalin në dritë gjatë fazës së dytë të kampionatit të sivjetëm dhe patjetër në ato në vazhdim duke u konsideruar një e ardhme e futbollit shqiptar.
Specialistët e futbollit në Shkodër që kanë patur rastin të punojnë me Flavion, theksojnë se ai spikat si golashënues tipik, një “9-sh” klasik, me nuhatje për portën, qetësi në finalizim dhe aftësi për të zgjidhur ndeshjen. Një lojtar që nuk mbështetet vetëm te talenti natyral, por që ka treguar disiplinë dhe punë të vazhdueshme, elemente këto thelbësore që pritet të japin shpërblimin e duhur në radhët e Besëlidhjes, e cila e konsideron me shumë fat që arriti ta bëjë pjesë të skuadrës së parë.
Gaspër MARKU



