Komuniteti sportiv shkodran dhe kryesisht ai i futbollit, mori sot një lajm të trishtë, ndarjen nga jeta para kohe në moshën 65 vjeçare të trajnerit të futbollit, Gjovalin Stolaj(Colaj).
Njeriu që punoi përmbi 35 vite me futbollin e moshave, por mbi të gjitha, merita e Gjovalin Stolajt qëndron në faktin, se ai është themelues i një klubi me emër të madh, si “Djelmnia Shkodrane”.

Duke pasur në krah një emër të njohur si ish futbollistin e Vllaznisë, Nikoll Gjergji, më së shumtmi, puna e tyre ka qënë e përqëndruar në elementin e futbollistëve të moshave nga rrethinat, të gërshëtuar edhe me ato të qytetit.

Një person i përkushtuar pas futbollit, jo vetëm në trajnimin e të rinjëve, por edhe në krijimin dhe ndërtimin e terreneve sportive, sidomos në rrethina.

Shumë prej futbollistëve të “Djelmnisë Shkodrane” të Gjovalin Stolajt, patën rastin të vazhdojnë karrieren e tyre sportive me ekipe të kategorive të larta në Shqipëri, por edhe jashtë vendit.
Krahas sportit, Gjovalini ka qënë i ngarkuar edhe me detyra të rëndësishme të qeverisjes vendore duke qënë aktiv edhe në jetën politike.

Pasionin për sportin, Gjovalini ia kultivoi edhe djalit të tij, Albano Stolaj, i cili pasi u shqua si futbollist, spikatjen më të madhe e bëri në fushën e arbtrimit, ku ai sot mban stemën e FIFA-s së arbitrit të futsales.

Humbja e parakohshme nga jeta e Gjovalin Stolajt(Colaj) në një moshë të re 65-vjeçare, ka prekur thellë familjen e tij por edhe komunitetin sportiv të Shkodrës dhe më gjërë, dhe sidomos bashkëpunëtoret e tij më të afërt të Djelmnisë Shkodrane.
Veriu Sport, i përcjell ngushëllimet më të sinqerta familjes Stolaj(Colaj) dhe personalisht djalit të tij, arbitrit të futbollit Albano Stolaj, për humbjen e parakohshme të njeriut të tyre të afërt, si dhe klubit “Djelmnia Shkodrane” për humbjen themeluesit të këtij klubi.
Gaspër MARKU


