Boksieri i talentuar shqiptar, Biordi Çekini, ka shkëlqyer në turneun prestigjioz ndërkombëtar “Porto Box Cup”, që po zhvillohet në Portugali, duke siguruar medaljen e artë në peshën 46 kg pas një serie fitoresh mbresëlënëse.

Rrugëtimi drejt majës nisi dy ditë më parë, ku Çekini arriti të fitojë dy përballje të forta: fillimisht ndaj polakut Juliusz Biernacki, dhe më pas në gjysmëfinale ndaj boksierit nga Letonia, Bruno Reps, duke treguar formë të shkëlqyer dhe dominim në ring.
Në finale, përballë britanikut James Joyce, një kundërshtar me renditje të lartë ndërkombëtare dhe i katërti në Angli, Çekini dha një performancë të jashtëzakonshme. Pasi humbi raundin e parë, ai reagoi me forcë dhe vendosmëri, duke fituar dy raundet e tjera dhe duke përmbysur rezultatin në mënyrë spektakolare.
Kjo seri fitoresh e vendos qartë Biordi Çekinin mes talenteve më premtues të boksit shqiptar, duke dhënë sinjale të forta për një të ardhme të ndritur në arenën ndërkombëtare.
Në një lidhje direkte me Veriu Sport, trajneri Klaudio Çekini është shprehur nga Portugalia me superlativa për sportistin, duke theksuar se gjatë këtij viti janë planifikuar pjesëmarrje në shumë turne ndërkombëtarë, me synimin e qartë për të sjellë medalje për Shqipërinë.
Biordi Çekini po konfirmon veten në çdo ndeshje – dhe ky triumf është vetëm fillimi.
(Video) Pamje nga ndeshja finale e Biordi Çekinit ku fitoi medaljen e artë në Turneun Ndërkombëtar, “Porto Box Cup”.
Gaspër MARKU


