Futbolli është sporti më i dashur dhe më popullor në botë. Miliona fëmijë në të gjitha kontinentet e ushtrojnë këtë sport me ëndrrën për t’u bërë futbollistë profesionistë. Megjithatë, pas suksesit dhe performancës në fushën e lojës qëndron një ekip i tërë profesionistësh që kontribuojnë çdo ditë për mirëqenien dhe përgatitjen e sportistëve.
Një rol thelbësor në këtë proces luan edhe mjekësia sportive. Në një sport që kërkon përgatitje të lartë fizike dhe intensitet të madh, kujdesi mjekësor dhe fizioterapia janë elementë të domosdoshëm për shëndetin dhe rikuperimin e futbollistëve.
Një nga profesionistët që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në këtë drejtim është edhe fizioterapisti i Kombëtares shqiptare, Arzen Voci. I njohur në ambientin kuqezi për profesionalizmin dhe përkushtimin e tij, Voci prej vitesh është një nga figurat që kujdeset për shëndetin dhe rikuperimin e lojtarëve të ekipeve kombëtare.
Në një rrëfim për FSHF TV, në serinë e reportazheve “Karriera përmes futbollit”, Arzen Voci ndan historinë e rrugëtimit të tij profesional, nga hapat e parë në futboll me ekipin e Tiranës deri te përvoja me Kombëtaren e Shqipërisë dhe pjesëmarrja në Kampionatin Europian 2024.
Profili i tij pasurohet edhe me këndvështrimet e zëvendëstrajnerit të Kombëtares, Ervin Bulku, sulmuesit të Tiranës, Redon Xhixha, mesfushorit të Dinamo City, Klevi Qefalija dhe fizioterapistit Altin Haxhia, të cilët vlerësojnë profesionalizmin dhe kontributin e Vocit në futbollin shqiptar.
Në këtë rrëfim, fizioterapisti i Kombëtares ndalet edhe te momentet më sfiduese të karrierës së tij, ku është përballur me vendime të rëndësishme në shërbim të shëndetit dhe rikuperimit të futbollistëve.


