Java e 20-të e Kampionatit Kombëtar të futbollit për Këtegorinë e Dytë, grupi A, ka regjistruar fitore për Besëlidhjen, Shirokën dhe Veleçikun, ndërkohë që Basania është mundur në shtëpi nga Erzeni 0-1.
Me fitoren e thellë në transfertë 1-9 me Adriatikun, duke përfituar edhe nga fitorja e Veleçikut ndaj Sopotit 3-0, lezhjanët e drejtuar nga trajneri Elvis Plori janë shkëputur me plus gjashtë pikë në krye të renditjes duke siguruar kualifikimin në Kategorinë e Parë.
Nëntë golat e Besëlidhjes kanë për autor 4′, 33′ Jobe, 7′ Beci, 17′ Mehmeti, 34′ Hila, 64′ Biba, 69′ Fusha, 78′, 82′ Raboshta, ndërkohë që të vetmin gol për vendasit e shënoi 66′ Lala.
Ndërkohë, derbi verior, Shiroka-Tërbuni i luajtur pasditen e së shtunës në stadiumin “Reshit Rusi” të Shkodrës, është mbyllur me fitoren e pastër të Shirokës me rezultatin 3 me 0.
Goli i parë për të besuarit e trajnerit Ardit Mani u shënua në minutat shtesë të pjesës së parë me autor Rinor Pekun. 45 minutat e dyta u shoqëruan edhe me dy gola të tjerë për Shirokën që kanë për protagonist Anderson Filipin në minutën e 65-të dhe Jakob Dreshaj në të 87-tën. Me këtë fitore, Shiroka shkon në kuotën e 41 pikëve duke mbajtur vendin e tretë, një më pak sesa Sopoti i vendit të dytë dhe 7 nga Besëlidhja kryesuese, me të cilën do të ndeshet të shtunën e ardhshme për javën e fundit të fazës së dytë.
Objektivi i Shirokës ishte për të siguruar kualifikimin në kategorinë e parë si e para e grupit, por tashmë si e treta në renditje, do ta kërkojë një gjë të tillë përmes ndeshjeve të fazës Play-Off.
Gjithnjë sa i takon ndeshjeve të javës së 20-të të grupit A në Kategorinë e Dytë, një përballje shumë interesante u luajt në Kompleksin Sportiv të vëllezërve Duli të Koplik, aty ku skuadra vendase mundi me rezultat të pastër 3 me 0 Sopotin e Librazhdit, skuadrën e vendit të dytë në renditje dhe pretendete për kategorinë e parë.
Sulmuesi shtatlartë Jurgen Gjini është ai që hap serinë e golave për koplikasit e drejtuar nga trajneri Besnik Duli, teksa shënon që në minutën e tretë duke e mbyllur pjesën e parë 1-0 në favor të Veleçikut.
Marsel Rragami shënon në të 79-tën golin e dytë për koplikasit, ndërkohë që Ledion Hotaj shënon në të 87-tën duke vulosur fitoren e merituar 3-0.
Ndeshja tjetër e këtij grupi e luajtur në fushën sportive të Bushatit, mes Basanias vendase dhe Erzenit mysafir mbyllet me fitoren e miqve 0-1, me gol të shënuar nga Xhoele Tahiri në minutën e 54-të.
Në barazim, 1 me 1 është mbyllur ndeshja me Naftëtarit vendas me Gramshin mysafir, ku që të dy golat janë shënuar në kohën shtesë. Albi Alushi për Gramshin shënon në 90+1’, ndërkohë që Kristian Xhika barazon për Naftëtarin në 90+9’.
Rezultatet e javës së 20-të, Kategoria e Dytë, grupi A
ADRIATIKU 1-9 BESËLIDHJA
66′ Lala / 4′, 33′ Jobe, 7′ Beci, 17′ Mehmeti, 34′ Hila, 64′ Biba, 69′ Fusha, 78′, 82′ Raboshta
SHIROKA 3-0 TËRBUNI
45′ +3′ Peku, 65′ Filipi, 87′ Dreshaj
VELEÇIKU 3-0 SOPOTI
3′ Gjini, 79′ Rragami, 87′ Hotaj
BASANIA 0-1 ERZENI
54′ Tahiri
NAFTËTARI 1-1 GRAMSHI
90’+9′ Xhika / 90’+1′ Alushi
LUZI 2008 – PUSHIM
(Video) Pamje nga ndeshja dhe golat, Shiroka-Tërbuni 3-0.


