Kuqeblutë e Vllaznisë kanë lënë pas Teutën, ndaj së cilës regjistruarn një fitore të vuajtur, por të merituar dhe shumë të rëndësishme, pasi trepikëshi i marrë në këtë sfidë e mban Vllazninë në vendin e parë të tabelës së klasifikimit, e ndjekur nga Elbasani, Egnatia dhe Dinamo, skuadra këto që përbëjnë për momentin katërshën finaliste.
Në fakt, nga katër skuadrat e para, kur kanë mbetur edhe pesë javë nga përfundimi i kampionatit të rregullt, Vllaznia është skuadra e parë që siguron matematikisht pjesëmarrjen në “Final Four” të kampionatit “Abissnet Superiore”.
Skuadra shkodrane kryeson renditjen me 59 pikë, duke krijuar një diferencë prej 15 pikësh nga Dinamo City dhe Partizani, ndërsa ka edhe golaverazh më të mirë në ndeshjet direkte ndaj tyre.
Pas Vllaznisë në renditje vijnë Egnatia me 54 pikë dhe AF Elbasani me 53 pikë, ndërsa Dinamo City dhe Partizani ndjekin me nga 44 pikë. Ndeshjen e radhës për javën e 32-të të Superiores, kuqeblutë do të luajnë në transfertë duke u ndeshur me Vorën, takim ky i planifikuar për orën 16:00 të pasdites së shtunë.
Një pragndeshje kjo që e gjen Vllazninë në një moment jo komod. Fjala është për infermierinë, pasi në këtë sektor janë plot katër futbollistë titullarë duke nisur nga Lirim Kastrati, Melos Bajrami, Kristian Dros dhe Charls Bismark.
Sa i përket Kastratit, stafi mjekësor konfirmon se e ka mbyllur sezonin, ndërkohë që po punohet intensivisht për rikuperimin e ndonjërit prej Bajramit, Bismark dhe Dros. Sa i përket kalendarit të ndeshjeve për javën e 32-të të Abissnet Superiore, ajo do të luhet në dy ditë.
Departamenti i Garave në FSHF bën me dije se në kalendarin e javës së 32-të të “Abissnet Superiore”, janë bërë disa ndryshime. Në bazë të kërkesës së ardhur nga Policia e Shtetit, në lidhje me zhvillimin e protestës së opozitës më datë 17 prill, për arsye sigurie është vendosur që derbi Dinamo City-Tirana të spostohet një ditë më pas, ditën e shtunë në orën 19:00.
Po të shtunën, krahas duelit Vora-Vllaznia
në program është edhe Egnatia – Flamurtari, që të dy të dy çiftet në orën 16:00, ndërkohë që Teuta-Elbasani në orën 19:00.
Takimi i fundit që mbyll javën e 32-të të Superiores, është Partizani-Bylis, i programuar për tu luajtur të dielën prej orës 19:00.
Kalendari i Javës së 32-të Abissnet Superiore
Të shtunën
FK Vora – Vllaznia, 18.04.2026, ora 16:00, Stadiumi “KF Vora”
Egnatia – Flamurtari, 18.04.2026, ora 16:00, Stadiumi “Arena Egnatia”
Teuta – AF Elbasani, 18.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Niko Dovana”
Dinamo City – Tirana, 18.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Air Albania”
Të dielën
Partizani – Bylis, 19.04.2026, ora 19:00, Stadiumi “Arena e Demave”


