Mbyllja e fazës së dytë të Kampionatit Kombëtar të volejbollit për femra e gjeti Vllazninë në vendin e parafundit të renditjes. Një pozicion ky, ku përpos pamundësisë për të luajtur në fazën finale Play-Off, rrezikon e dhe qëndrimin në kategorinë Superiore.
Ndaj, sipas rregullores së Federatës Shqiptare të Volejbollit, për të qëndruar në kategori Vllanzisë i duhet të luajë në fazën Play-Out me vendin e dytë të kategorisë së parë, vend në të cilin është renditur Studenti. Në program janë dy ballafaqime, ku i pari është luajtur në pallatin e sporteve “Qazim Dervishi” të Shkodrës.
Një ndeshje kjo e dominuar plotësisht nga ekipi kuqeblu, i cili e mbyll krejt ndeshjen me fitore, rezultatin e pasër 3 me 0. Referuar kronikës së lojës, volejbollistet kuqeblu të drejtuara nga trajneri Dorjan Tafa fituan setin e parë me shifrat 25 me 12.
Në setin e dytë shfaqet një rivalitet më i madh në fushën e lojës, por gjithësesi, universitaret nga kryeqyteti nuk arrijnë të shkojnë më shumë sesa pika e 15-të ndaj 25 të Vllaznisë. Edhe në setin e tretë mikeshat nga Tirana kanë një rritje në lojën e tyre, dhe këtë radhë, ndryshe nga setet e mëparshme që shënojnë 12 dhe 15 pikë, arrijnë deri në pikën e 17-të.
Gjithësesi, Vllaznia nuk fal dhe duke mbajtur të njëjtin ritëm loje, e mbyll edhe këtë set me fitore 25 me 17 dhe të gjithë ndeshjen 3 me 0. Me këtë fitore, Vllaznia ka hedhur hapin e parë të sigurimit për të qëndruar në Superiore, por, për ta zyrtarizuar një gjë të tillë duhet pritur ndeshja e kthimit, e cila luhet në Tiranë, ku në rast fitore mbyllet gjithçka, ndërkohë, nëse në kryeqytet fiton Studenti, do të luhet një ndeshje e tretë përsëri në Shkodër.


