Turneu “Futsal Junior” mbylli me sukses edicionin e katërt me zhvillimin e turneve për grupmoshat U-11 dhe U-9, të organizuara këtë fundjavë në sallën sportive “Feti Borova”. Për tre ditë me radhë, qindra fëmijë u bënë pjesë e një atmosfere festive dhe sportive, duke sjellë emocione, energji dhe pasion për futbollin.
Kjo fundjavë iu dedikua talenteve të vegjël të grupmoshave U-11 dhe U-9, ku 16 ekipe zbritën në parket për të garuar dhe për t’u argëtuar, në kuadër të misionit për promovimin e pjesëmarrjes masive dhe kultivimin e dashurisë për futbollin që në vegjëli.
Në të dyja grupmoshat, fitues i turneut u shpall ekipi i KSP Junior. Në finalen e grupmoshës U-9, KSP Junior triumfoi 3-1 ndaj Tiranës, ndërsa në finalen e U-11 fitoi me rezultatin 3-2 përballë Football Junior.
Në ceremoninë përmbyllëse, trofetë iu dorëzuan ekipit fitues nga Drejtori Teknik i FSHF-së, Abdyl Kuriu, dhe Sekretari i Përgjithshëm i SHRF Tiranë, Ardian Haçi.


