Euro 2020-Dita e 13-të/ Suedi-Poloni 3:2. Norditët kalojnë në raundin tjetër si të parët e Grupin E, ndërkohë që polakët largohen nga Europiani me vetëm një pikë

Fitore e merituar e Suedisë ndaj Polonisë me rezultatin 3 me 2, por minutat e fundit të sfidës së luajtur mbrëmjen e sotme në Shën Peterburg për llogari të grupit E patën jo pak emocione, pasi polakët e kërkuan me ngulm golin e barazimit. Skuadra e teknikut Janne Andersson reflektoi karakter dhe pjekuri por edhe guxim pasi hyri në ndeshje me besimin se vetëm fitorja mund ta mbante larg telasheve dhe e arriti një gjë të tillë edhe mes drithërimave në 10 minutat e fundit.

Sukses 3-2, pothuajse historik për Suedinë që e kualifikon për më tej si të parën e grupit E. Nuk ishte ndeshja e llogarive dhe kjo u reflektua që në shkelminimin e parë të topit ku Emil Forsberg e nisi në mënyrën më të mirë të mundshme këtë ndeshje shumë delikate për Suedinë pas vetëm 81 sekondave lojë.

Gol i rëndë që mund të kishte rrëzuar edhe një elefant dhe kjo u reflektua në reagimin e dobët të Polonisë që mori një shuplakë të fortë. Kronometri nuk punonte në favor të skuadrës së Paulo Sousas që nuk u demoralizua dhe fitoi terren duke flirtuar me golin në dy raste ku Leëandoëski luftoi me shtyllën dhe fatin. Skuadër më e vendosur dhe e rrjedhshme në aksione Polonia por Suedia cinike në tentativën e dytë të rrezikshme të ndeshjes, gjeti një tjetër gol.

Kulusevski gjeti sërish Forberg i cili nuk fali sërish duke e futur ndeshjen në shinat që të çojnë për Stokholm. Pak sekonda festë dhe më pas rikthim me këmbë në tokë. Kur në fushë kundërshtar ke Leëandoëskin ndoshta nuk është asnjëherë e rekomanduar të relaksohesh dhe për këtë janë dëshmitare suedezët të cilët pësuan dy gola të shpejtë nga shtatlarti i Bayernit të Mynihut.

Kur Polonia po shtynte me të gjitha forcat për të gjetur golin e tretë, Claeson i ndëshkoi me një gol që vrau çdo shpresë. Polonia largohet me vetëm një pikë nga Euro 2020 ndërsa Suedia shikon drejt datës 29 Qershor.

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu