Federata Shqiptare e Futbollit ka vendosur të mbyllë bashkëpunimin me trajnerin e Kombëtares, Sylvinho. Brazilianit i ka përfunduar kontrata dhe palët nuk kanë rinovuar. Lajmi është zyrtarizuar në konferencën e shtypit dhënë për gazetarët mbajtur në “Shtëpinë e Futbollit”.
Në fjalën e tij Sylvinho, tashmë ish-trajner i kuqezinjve ka treguar shkurtimisht eksperiencën e tij në krye të Shqipërisë për 3 vjet e gjysmë dhe pastaj i ka uruar fat trajnerit të ri.
“Më kanë pritur shumë mirë këtu dhe ju falënderoj shumë. E njoh mirë Shqipërinë tashmë. E falënderoj presidentin Duka për besimin dhe punën që kemi bërë. Falënderoj gjithë stafin për punën, të gjithë futbollistët. Bashkë kemi bërë një rrugëtim prej 3 vitesh e gjysmë, jemi rritur bashkë dhe kemi arritur ato rezultate.
Falënderoj dhe tifozët e Kombëtares, kanë qenë një shenjë pozitive për ne, për të punuar çdo ditë. Nuk ka shumë për të thënë. Që në ditën e parë që kam qenë këtu, kam thënë: zemra dhe djersa nuk mund të mungojnë kurrë. Tani dua t’i uroj shumë fat trajnerit të ri Maran dhe sa më shumë suksese”, – ka thënë mes të tjerash trajneri brazilian.
Sylvinjo e mori drejtimin e Shqipërisë në vitin 2023 dhe arriti ta kualifikonte në Europianin e fundit, duke bërë paraqitje shumë të mira në kualifikuese. Kontrata e tij u rinovua me 6 muaj pak kohë më parë nga FSHF-ja dhe ky ishte një sinjal për ndarjen me këtë trajner.


