Rolando Maran do të jetë trajneri i ri i Kombëtares shqiptare,duke sjellë në pankinën kuqezi një emër me eksperiencë të gjatë në futbollin italian dhe mbi të gjitha me njohje të thellë të kampionateve elitare.
Italiani 62-vjeçar vjen pas eksperiencës së fundit te Brescia në Serie B por karriera e tij përfshin një rrugëtim të gjatë e të rëndësishëm në futbollin italian,ku ka drejtuar skuadra të njohura si:Pisa,Genoa,Cagliari,Chievo,Catania,Vicenza,Bari,Triestina,Varese dhe Citadela.
Karriera e Maran nisi gradualisht në kategoritë e ulëta të futbollit italian,aty ku ndërtoi reputacionin si një trajner i organizuar,i disiplinuar dhe shumë i përkushtuar taktikisht.
Për vite me radhë ai drejtoi skuadra në Serie B,duke u konsideruar si një specialist i ndërtimit të ekipeve solide dhe konkurruese.
Momenti që ndryshoi karrierën e tij erdhi në qershor të vitit 2012,kur mori drejtimin e Catania në Serie A.
Në atë sezon ai arriti një sukses historik me skuadrën siciliane,duke e renditur në vendin e tetë dhe duke vendosur rekord pikësh për klubin në elitën e futbollit italian.
Catania e Maran u vlerësua për futbollin ofensiv,organizimin në mbrojtje dhe stilin agresiv të lojës,duke u kthyer në një nga surprizat më të bukura të kampionatit italian.
Pas suksesit te Catania trajneri italian vazhdoi të ishte pjesë e Serie A për shumë vite.
Ai drejtoi Kievon për disa sezone duke e mbajtur skuadrën mes ekipeve konkurruese të elitës ndërsa më pas pati eksperienca edhe me Cagliari dhe Genoa.
Maran njihet si një trajner që kërkon shumë disiplinë taktike,kompaktësi në repartet e skuadrës dhe intensitet të lartë gjatë lojës.
Deri në vitin 2020 ai ishte vazhdimisht pjesë e Serie A ndërsa më pas u rikthye në Serie B për të nisur një tjetër etapë të karrierës së tij.
Në verën e vitit 2022 mori drejtimin e Pisa ndërsa eksperienca e fundit ishte ajo me Breshia.
Tani përpara tij qëndron një sfidë krejtësisht e re drejtimi i Kombëtares shqiptare.Federata shqiptare duket se ka zgjedhur një trajner me eksperiencë,që njeh mirë presionin e rezultateve dhe menaxhimin e grupeve konkurruese.
Objektivi do të jetë ruajtja e nivelit të Kombëtares dhe ndërtimi i një skuadre edhe më të fortë për kompeticionet e ardhshme ndërkombëtare.
Tifozët kuqezi presin me interes ardhjen e teknikut italian,ndërsa mbetet për tu parë se çfarë filozofie loje do të sjellë Maran dhe cilët lojtarë do të jenë pjesë e projektit të tij të ri në pankinën e Shqipërisë.
Fatos LAMAJ


