Për Mikela Skandajn, lezhjanen e talentuar të arteve marciale që jeton në Itali me familjen e saj kemi folur edhe herë të tjera.
Ndonëse mosha e saj nuk është më shumë se 17 vjeçe, ajo ka të koleksionuar një sërë trofesh, duke nisur nga Kampionati Italian, ai Ballkanik dhe Europian, numri i të cilëve pas garave të fundprillit të këtij viti ka shkuar në 72.
Megjithatë, kulmi i saj është Kampionati Botëror, një ëndër e saj e kahershme që u bë realitet me pjesëmarrjen në eventin madhor që po zhvillohet në Romani që prej datës 20 korrik 2026 me pjesëmarrjen e 2106 sportistëve nga 47 vende të Botës.
Realisht, ajo ka 4 vite që është përzgjedhur nga Federata Italiane e Arteve Marciale të marrë pjesë në Kampionatin Botëror, por mungesa e dokumentave përkatës duke i shtuar edhe financat e kanë penalizuar nënkampionen e Europes që të realizoj ëndërren e saj.
Falë përgatitjes së saj sistematike dhe profesionale, në ndeshjet e fazës së parë eleminatore Mikela Skandaj ka arritur të futet në 8 më të mirat e Botës të grupit të saj me 52 konkuruese të kategorisë 16-17 vjeçare në peshën 60 kg.
Ndërkohë që optimizmi i saj është për t’u rritur edhe më shumë në fazat e mëvonshme, ajo që të bën përshtypje është heshtja e Shqipërisë ndaj kësaj talente, e cila që në hapat e parë, ajo vetë personalisht si dhe familja e saj kanë shfaqur dëshirën që krahas konkurimit në klubin italian, përfaqësimet në Kombëtare t’i ketë për Shqipërinë.
Përkundër neglizhencës së strukturave sportive dhe shtetërore të Shqipërisë, ajo që ka përfituar për momentin është Italia, e cila i ka hapur dyert të përfaqësojë kombëtaren italiane.
E ndërsa, podiumet ndërkombëtare të Mikeles vazhdojnë të shoqërohen me ngritjen e flamurit Italian, në Shqipëri vazhdon heshtja.
Një heshtje që nuk duhet të jetë e tillë, pasi Shqipëria nuk e ka luksin të djegë një talente të tillë, e cila famën dhe karrieren e saj e ka ngritur falë përkushtimit dhe investimit të familjes së saj dhe konkretisht, babait të saj Angjelin Skandaj, i cili duhet thënë se është një trajner i dytë për të.
Shqipëria ka shkuar deri aty, sa në disa sporte ka pranuar të përfaqësohet me sportistë të huaj duke i bërë nënshtetësinë përkatëse, ndëkohë që një talente puro shqiptare nga fshati Baqel i Lezhës si Mikena Skandaj që e kërkon prej sa vitesh një gjë të tillë, nuk e përfill fare.
Deri kur do të vijojë një qëndrim i tillë?!?
Gaspër MARKU


