Jordi Preka, 17 vjeçari që luan në Superligën shqiptare me ekipin e parë të Vllaznisë, është i vetmi basketbollist kuqeblu që është pjesë e Kombëtares U18, e cila po luan ndeshjet eleminatore të Europianit të Basketbollit 2026.

Falë dy fitoreve ndaj San Marinos dhe Moldavisë, humbja me Maltën nuk e pengoi Kombëtaren e Shqipërisë të kualifikohet në fazën gjysmëfinale, aty ku gjen kombëtaren e Kosovës si kundërshtar.
Në një prononcim të dhënë për Veriu Sport, basketbollisti kuqeblu flet për emocionet që po e shoqëojnë si pjesë e Kombëtares së Shqipërisë, si dhe për përvojën që po fiton në grupin e drejtuar nga trajneri Besim Dervishaj si dhe patjetër nga ballafaqimet ndërkombëtare të kësaj grupmoshe.
Praninë në kombëtare, Jordi e lidh me punën e mirë të bërë në ekipet zinxhir të moshave të Vllaznisë dhe kombëtares dhe kryesisht edhe të ekipit të të rriturve ku ai është pjesë e Vllaznisë së Superligës së basketit që drejtohet nga trajneri Eni Llazani.
Ndër të tjera, Jordi Preka ka edhe një dedikim për familjen, për mamin dhe babin, të cilët e ndjekin në çdo ndeshje, prania e të cilëve në tribunën e pallatit të sporteve “Qazim Dervishi” i jep më tepër besim dhe kurajo për të bërë më të mirën në fushën e lojës.
Falë moshës së së re 17 vjeçare, Jordi ka edhe një vitë në dispozicion për të luajtur në kombëtaren U18, duke premtuar se në eleminatoret e ardhshme do të paraqitet me një formë edhe më të mirë sportive duke vënë bazat e perspektives në kombëtaren e madhe dhe njëkohësisht të fitoj besimin e trajnerit Llazani për më shumë minuta në ekipin e parë të Vllaznisë në Superligën e basketit për të rritur.
(Video) Prononcimin e plotë të basketbollistit të Vllaznisë Jordi Preka, që është pjesë e Kombëtares së Shqipërisë U18 në Europianin që po zhvillohet në Shkodër, mund ta ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.
Gaspër MARKU


