Ekipi Kombëtar i Shqipërisë për personat me aftësi të kufizuar intelektuale ka nisur pjesëmarrjen në turneun ndërkombëtar Genuine Cup 2026, që po zhvillohet në Houston, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.
Në ndeshjet e para të fazës së grupeve, përfaqësuesja shqiptare u përball me dy kundërshtarë të fortë, Brazilin dhe Slloveninë, duke zhvilluar takime me intensitet të lartë dhe duke treguar përkushtim, shpirt gare dhe vlera të larta sportive.
Pjesëmarrja në Genuine Cup 2026 përfaqëson një moment të rëndësishëm për sportin gjithëpërfshirës shqiptar, duke u dhënë sportistëve mundësinë të konkurrojnë në një skenë ndërkombëtare dhe të promovojnë barazinë, respektin dhe fuqinë bashkuese të sportit.
Pavarësisht rezultateve, prania e ekipit kombëtar në këtë kompeticion është një arritje e rëndësishme dhe një dëshmi e punës së vazhdueshme për zhvillimin e sportit për personat me aftësi të kufizuar intelektuale në Shqipëri.


