Flamurtari-Burreli 1-1(Shënues: Denis Pjeshka 90’+6′ / Albi Xhabrahimi 69’ (p))
Kartonë i verdhë:Trajneri Kërnaja 93’/Xhakaj 7′,Lleshaj(staf) 93′
Flamurtari:Kaloshi,Raso,Pjeshka,Kotobelli(Sarjo 71′),Boshkovski(Nurja 46′),Lushaj,Sala(Estrela 54′),Migone,Berisha,Keneth(Çoba 71′),Barri(Gjata 54′) Trajner:Oltion Kërnaja
Burreli:Beker,Mensah,Shkalla,Koka,Marqeshi(Progja 76′),Xhakaj,Krasniqi(Arnold 46′),Laval(Avdullahu 61′),Hoti,Xhabrahimi(Kabiru 81′),Patushi(Çukvu 46′) Trajner:Samuel Nikaj
Gjyqtarë:Emanuela Rusta(Elbasan),Harrjan Lila(Kavajë),Maldin Sina,Granit Sulko(Lushnje) Delegat:Alban Tafaj(Tiranë) Vëzhgues:Arjan Mali(Patos)
Flamurtari-Burreli ishte ndeshja e parë hapëse e javës së dytë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë.
Sfida e luajtur pasditen e sotme në stadiumin “Flamurtari” të Vlorës u karakterizua me faza interesante, emocionuese dhe me një fund dramatik, kur kemi parasysh se vlonjtët i shpëtuan humbjes me një gol të shënuar në minutën e 96-të të shtesë së lojës me autor shkodranin Denis Pjeshka.
Më herët kanë qënë miqtë nga Burreli që të udhëhequr nga trajneri shkodran Samuel Nikaj, një profesionist tashmë i kësaj kategorie, në kampionatin shqiptar dhe atë të Kosovës, të cilët kaluan të parët në avantazh me autor Albi Xhabrahimi përmes një penalltie të akorduar nga arbitrja kryesore Emanuela Rusta në minutën e 69-të.
Në këtë mënyrë, Flamurtari dhe Burreli kan ndarë pikët në sfidën e luajtur sot në Vlorë, një takim që u mbyll në mënyrë dramatike në minutat e fundit.
Përgjithësisht, vendasit zhvilluan një ndeshje të mirë duke dominuar për pjesën më të madhe të kohës, duke krijuar disa raste për shënim por ishin miqtë ata që kaluan të parët në avantazh.
Pas golit të pësuar Flamurtari shtoi ndjeshëm presionin dhe u hodh me forca të shumta në sulm në kërkim të barazimit.
Këmbëngulja e Flamurtarit u shpërblye vetëm në minutën e gjashtë shtesë kur shkodrani Denis Pjeshka gjeti rrugën e rrjetës dhe vendosi baraspeshën duke i siguruar Flamurtarit të paktën një pikë nga kjo përballje.
Pas këtij barazimi, i dyti radhazi për të dyja skuadrat në dy javët e para të kampionatit, Burreli është i treti në renditjen provizore me dy pikë dhe Flamurtari i katerti me po kaq pikë.
Ndërkohë, nesër(të shtunën), luhen ndeshjet e tjera të javës së dytë të kategorisë së dytë, ku dueli më i spikatur pritet të jetë ai që do të luhet në stadiumin “Brian Filipi” të Lezhës mes Besëlidhjes, e cila në javën e parë u mund 2-0 nga Kukësi në transfertë dhe Korabit së bashku me Kukësin kryesojnë renditjen me nga tre pikë.
Fatos LAMAJ


