Kombëtarja shqiptare fitoi 3-0 ndaj San Marinos në “San Marino Stadium”, duke marrë fitoren e dytë në po aq ndeshje në UEFA Nations League.
Kuqezinjtë dominuan lojën dhe triumfuan me golat e Mehmetit, Uzunit dhe Manajt.
Shqipëria numëron 6 pikë të plota pas dy ndeshjeve të para dhe kryeson renditjen në grupin C1, duke lënë pas Finlandën me 4 pikë.
Trajneri Rolando Maran e nisi ndeshjen me këtë formacion titullar: Sherri (GK), Ismajli, Sina, Gjimshiti (C), Mitaj, Shehu, Asllani, Mehmeti, Muçi, Uzuni, Manaj.
Shqipëria e mbyll pjesën e parë me avantazhin 2-0 ndaj San Marinos.
Kuqezinjtë e nisën mirë ndeshjen, duke krijuar disa raste për gol, ndërsa avantazhi u zhbllokua në minutën e 21-të me Mehmetin, pas një devijimi të Manajt nga goditja e këndit.
Shqipëria vijoi të kontrollojë lojën dhe në minutën e 27-të gjeti edhe golin e dytë me Uzunin, pas goditjes së dënimit të Manajt. Në minutat e fundit, kuqezinjtë administruan avantazhin dhe shkuan në pushim me shifrat 2-0.
Pjesa e dytë nisi me një zëvendësim për Shqipërinë, me Kumbullën që mori vendin e Gjimshitit. San Marino provoi të reagojë në minutat e para, por kuqezinjtë vijuan të menaxhojnë avantazhin. Në minutën e 65-të, Manaj shënoi golin e tretë, duke vulosur fitoren e Shqipërisë.
Trajneri Maran vijoi me zëvendësimet, duke aktivizuar Hoxhën, Shpendin, Qefalijan dhe Hasën. Në krahun tjetër, San Marino pati disa tentativa, por Sherri reagoi mirë dhe mbajti portën të paprekur. Shqipëria administroi deri në fund avantazhin dhe regjistroi fitoren 3-0 në transfertë.
Ndeshja e radhës për kuqezinjtë do të jetë sërish në transfertë, më 3 tetor, ndaj Finlandës në Helsinki, në orën 15:00.


