Ndarja nga jeta e ish kampionit Ismet Hoxha. KF Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, organizojnë homazhe paraditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi”

Lexo

- Reklamë -spot_img

Shkodra humb një tjetër kampion. Pak ditë më parë u nda nga jeta veterani Esat Bushati në moshën 97 vjeçare, ndërkohë që mbrëmjen e djeshme vjen një tjetër lajm i trishtë, ndarjen nga jeta në mënyrë krejt të papritur në moshën 78 vjeçare të ish futbollistit, trajnerit dhe drejtuesit të KF Vllaznia, Ismet Hoxha.

Themi papritur, sepse Ismeti gjatë të gjithë kësaj periudhe ka qënë shumë aktiv në jetën e përditshme nën shoqërinë e miqve të tij të afërt, ndërkohë që vazhdimisht ishte i pranishëm në tribunën VIP të stadiumit “Loro Boriçi” duke ndjekur me shumë interes ndeshjes e Vllaznisë si zakonisht me treshen e dikurshme në fushën e lojës: Rauf Çanga- Ahmet Meta-Ismet Hoxha, por edhe me mikun e tij të afërt, Faik Sadikun, i cili ka në duar librin sportiv dedikuar Ismet Hoxhës.

Nga sa bëhet e ditur, Ismeti është prekur në mënyrë të papritur nga një infarkt, që megjithë ndihmën e shpejtë dhënë nga familjarët e tij dhe ekipi i autoambulancës së qytetit që e ka dërguar në spital, nuk ka arritur të mbijetojë.

Një largim ky i parakohshëm nga jeta, por që pas ka lënë një karriere shumë të pasur sportive, fillimisht si futbollist kampion me Vllazninë por edhe me Partizanin, antar i ekipit kombëtar, ndërkohë që luajti për një vit edhe me Luftëtarin e Gjirokastrës, për të vijuar më pas në detyrën e trajnerit të futbollit, ndërkohë që pati edhe një përvojë disa vjeçare në cilësinë e sekretarit të KF Vllaznia si dhe të drejtorit të AF Vllaznia.

Sa i përket karrieres si futbollist, kulmi i Ismet Hoxhës është në vitin 1972 kur fitonte titullin kampion dhe Kupën e Republikës me një brez të artë të futbollit shkodran, si Paulin Ndoja, Ramazan Rragami, Sabah Bizi, Medin Zhega, Çesk Ndoja, Halil Puka, Hajrullah Leka, Zydi Basha, etj. Ndërkohë që titullin kampion e përsërit edhe në vitin 1974, ndërsa shkëlqen edhe në ndeshjet e Spartakiadës së katërt kombëtar duke u cilësuar futbollisti më i mirë së bashku me durrsakun Shyqyri Ballgjini.

Karriera e tij sportive plotësohet edhe me kontributin e dhënë në ekipin kombëtar dhe sidomos me kategorinë e Shpresave ku si kapiten i saj u shpall dy herë nënkampion i Ballkanit.

Me mbylljen e karrieres si futbollist në vitin 1978, Ismet Hoxha vijoi punën si trajner i moshave fillimisht, ndërkohë që më pas merr drejtimin e të rinjëve të Vllaznisë duke u shpallur kampion i Shqipërisë me një brez të artë futbollistësh, si: Hysen Zmijani, Çlirim Basha, Zamir Shpuza, Suad Lici, Edi Martini, Armando Cungu, Vioresin Sinani, Luan Zmijani, Elvin Beqiri.

Për kontributin e dhënë në sport, Ismet Hoxha është vlerësuar me tituj të ndryshëm nga KF Vllaznia, Bashkia Shkodër dhe FSHF, ndërkohë që mban edhe titullin e lartë “Mjeshtër i Madh” akorduar nga Presidenti i Republikës.

Në nderim të figurës së njohur sportive, is kampionit të Vllaznisë Ismet Hoxha, KF Vllaznia dhe Bashkia Shkodër, organizojnë homazhe paraditen e së premtes në stadiumin “Loro Boriçi”.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img