Tre ndeshjet e para të javës së pestë të Kampionatit Kombëtar të Kategorisë së Dytë evidentuan përsëri Vllazninë B, si skuadrën më në formë të këtyre javëve të para të sezonit.
Kuqeblutë e drejtuar nga trajneri Brikeno Bizi fituan derbin shkodran ndak KF Shirokës me rezultatin 4 me 2.
Një ndeshje kjo që në pjesën e parë dhe fillimin e të dytës paraqiti një Vllaznini dominuese në të gjitha drejtimet, lojë dhe rezultat, gjë që e pasqyron edhe vetë avantazhi 3 me 0 falë golave të shënuar nga Papaj, Spahija dhe Allele.
Ndërkohë, Shiroka e penalizuar me largimin që në start të takimit të kapitenit Erjon Vucaj si rezultat i një dëmtimi të rëndë, rikthehet në lojë në pjesën e dytë që mund të themi se ishte e tëra për to. Edhe pse merr goditjen e dytë, ku arbitri i ndeshjes Hoxha largon nga fusha e lojës sulmuesin kryesor Gjini me dy të verdha, golat e shënuar nga Vildan Kaçubela dhe Doucoure përkatësisht në minutat 66 dhe 80, rihapin takimin.
Në minutta e mbetura Shiroka ushtron presion në portën e Vllaznisë B në kërkim të golit të barazimit, një gabim fatal në prapvijë bën të përfitojë Simon Botchëay i kuqeblutë, që me golin e tij mbyll ndeshjen me fitoren e Vllaznisë 4 me 2.
Fitorja e pestë kjo në pesë javë kampionat për Vllazninë B duke e mbajtur në vendin e parë me 15 pikë të plota, ndërkohë që Shiroka mbetet në kuotën e tre pikëve duke mbajtur vendin e parafundit të renditje.
Ndërkohë, skuadra tjetër e qarkut Shkodër, Basania ka barazuar në shtëpi me Erzenin 1 me 1, ku golin për bushatasit e ka shënuar Ouattara në minutën e 40-të ndërkohë atë të barazimit për shijakasit Lleshaj në të 75-tën.
Sfida tjetër e grupit A e luajtur të shtunën, Naftëtari-Lushnja u mbyll me fitoren e lushnjarëve 1 me 2.
(Video) Pamje nga ndeshja Vllaznia B-KF Shiroka 2-4 si dhe prononcimet e trajnerit të Vllaznisë B, Brikeno Bizi dhe kapitenit të kuqebluve Enez Papaj, mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.


