Sekretari i Përgjithshëm dhe Drejtor i Departamentit Ligjor pranë KF Vllaznia, z.Blendi Dibra, po merr pjesë në edicionin e katërt të FIFA International Player Transfer Course, që zhvillohet nga 3 deri më 6 nëntor 2026 në zyrat e FIFA-s në Miami, SHBA.

Ky program i specializuar mbledh përfaqësues klubesh dhe federatash, si dhe profesionistë që menaxhojnë transferimet ndërkombëtare të futbollistëve. Seancat drejtohen nga juristë dhe specialistë të FIFA-s, duke ndërthurur shpjegimin e kuadrit rregullator me ushtrime praktike dhe raste konkrete.
Qëllimi i kursit është të forcojë aftësitë e pjesëmarrësve për të administruar me saktësi procesin e transferimit ndërkombëtar, për të shmangur gabimet procedurale dhe për të mbrojtur të drejtat e lojtarëve dhe klubeve.
Programi trajton Rregulloren e re të FIFA-s për Statusin dhe Transferimin e Lojtarëve që do hyj në fuqi me 1 Janar 2027 ku përfshihen kontratat e punës, marrëveshjet ndërmjet klubeve, rolin e agjentëve dhe përdorimin e sistemit elektronik TMS. Vëmendje u kushtohet edhe transferimeve të të miturve, zgjidhjes së mosmarrëveshjeve dhe kufizimeve mbi ndikimin e palëve të treta në futboll.
Një pjesë e rëndësishme e trajnimit përqendrohet te kompensimi i trajnimit, mekanizmi i solidaritetit dhe funksionimi i FIFA Clearing House. Këto mekanizma synojnë që klubet që kontribuojnë në formimin e futbollistëve të marrin shpërblimet financiare që u takojnë.
Pjesëmarrja e z.Dibra realizohet me ftesë të FIFAs dhe me mbështetjen e European Football Clubs (EFC). Si Drejtor i Departamentit Ligjor, ai e lidh këtë përvojë me përgjegjësitë e përditshme në administrimin e çështjeve ligjore të klubit.
Ky event ndikon drejpërdrejt në përditshmërinë e KF.Vllaznia, ku njohuritë e trajtuara në Miami kanë rëndësi të drejtpërdrejtë për menaxhimin e transferimeve, hartimin e marrëveshjeve dhe mbrojtjen e interesave financiarë të klubit, veçanërisht të të drejtave që burojnë nga formimi dhe zhvillimi i lojtarëve të akademisë.


