Bilardistët më të mirë të Shqipërisë, mes të cilëve edhe ato të Vllaznisë, ishin mysafirë këtë të dielë në qytetin e Shkodrës duke konkuruar në kuadrin e Kampionatit Kombëtar për disiplinën e Karrambolit.
Një aktivitet ky që u organizua nga Shoqata e Bilardos shkodrane me kryetar, Edrit Biba në bashkëpunim me Federatën Shqiptare të Bilardos, e cila përmes presidentit të Federatës Shqiptare të Bilardos, Edmond Loku organizoi ceremoninë e hapjes gjatë së cilës u evidentuan kushtet e mira të krijuara nga ana e shoqatës së bilardos Vllaznia.
Ndërkohë, duke folur për Veriu Sport, presidenti i bilardos shkodrane, Idrit Biba, bëri të ditur një lajm të mire. Bëhet fjalë për zgjerimin e sallës aktuale të bilardos e cila ushtron aktivitetin e saj në mjediset në hapësirat poshtë shkallëve të stadiumit “Loro Boriçi”.
Sipas tij, punimet ka disa ditë që kanë nisur dhe shumë shpejt, nga fundi i nëntorit apo fillimi i dhjetotit 2026, salla e re do të jetë gati duke afruar një mjedis bashkohor me kushte të standarteve europiane, gjë që do të krijojë mundësinë e zhvillimit të kampionateve kombëtare, por edhe ato ndërkombëtare.
(Video) Ceremona e hapjes së kampionatit, përshëndetjet e presidentit të FSHB Edmond Loku, presidentit të bilardos shkodrane Idrit Biba, si dhe pamje nga ndeshjet eleminatore mund t’i ndiqni në kanalin tonë zyrtar, Veriu Sport-YOUTUBE.


