Saturday, November 23, 2024

Adi Mehja, trajneri-futbollist që po ndryshon imazhin e Adës së Velipojës

Lexo

Ada e Velipojës, pjesë e grupit A të kategorisë së dytë të futbollit shqiptar, regjistroi pasditen e së dieles një fitore të rëndësishme duke mundur në shtëpi Ilirinë e Fushë Krujës. Ka qënë goli i shënuar në minutën e 40-të nga Ardi Frroku i cili qëndroi në fuqi deri në fund të ndeshjes, e cila përfundoi me rezultatin 1 me 0 në favor të velipojakëve. Me këtë fitore, por edhe me paraqitjet pozitive në ndeshjet e mëparshme duket se këtë sezon do të kemi një Adë krejt tjetër nga ajo e sezonit të kaluar, e cila rrezikoi mbijetesen në kategorinë e dytë deri në limitin e kampionatit. Dhe, krahas të tjerave, një gjë e tillë i faturohet punës pasionante që po bën me skuadrën trajneri Adi Mehja, të cilit presidenti i Adës, Alfred Pjetri i besoi drejtimin e skuadrës. E veçanta e Mehjes ka të bëjë me faktin se falë parametrave pozitive, fizikë dhe teknikë që disponon, krahas detyrës së trajnerit, ai ka vendosur të luajë edhe në formacionin e Adës. Një gjë të tillë ai e bëri edhe në ndeshjen e fundit përballë Ilirisë të luajtur në stadiumin “Adriatik” të Velipojës, pas së cilës dha një intervistë për Veriu Sport.

“Nuk është ndeshja e parë që aktivizohem në fushën e lojës, një gjë të tillë e kam bërë që në fillim të kampionatit, sepse tashmë dihet që kontigjenti dhe organika e ekipit tonë ka mangësi, prandaj edhe unë jam detyru që duke marrë parasysh eksperiencen time disa vjeçare që kam pasë me ekipet e tjera ku jam aktivizuar, që të kontribuoj edhe në fushë së bashku me djemtë e ekipit.”, u shpreh Mehja në lidhje me pozicionin e tij, trajner-futbollist.

Sa i përket ballafaqimit të së dieles me Ilirinë, ai u shpreh i kënaqur me fitoren si dhe me paraqitjen e skuadrës së tij. “Ishte një ndeshje e vështirë, ku përballë kishim ekipin e Ilirisë së Fushë Krujës, një ekip me traditë dhe që gjatë të gjithë kohës ka qënë në kategorinë e parë, por që tani garon në kategorinë e dytë. Mendoj se zhvilluam një ndeshje shumë të fortë, me guxim dhe përkushtim dhe në fund ia arritëm qëllimit duke dalë fitues.”, tha tekniku Mehja

Duke folur për lojtarët që ka në dispozicion, trajneri Mehja ndalet tek njëri prej tyre, sulmuesi Ardi Frroku, për të cilin flet me superlativa. “Është një lojtar që ka cilësi të jashtëzakonshme, është një lojtar që ndoshta meriton të luajë në kategori më të lartë. Mua më vjen shumë mirë dhe gëzohem që e kam pjesë të ekipit. Ardi është golashënuesi më i mirë i ekipit tonë dhe ka cilësi shumë të mira dhe me të drejtë them që është privilegj që e kemi një lojtar të tillë në gjirin e ekipit tonë, sepse është shumë i domosdoshëm për ne.”, komenton trajneri Mehja për talentin e sulmit velipojak Ardi Frroku.

Për javën e tetë të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së dytë, Ada do të luajë në transfertë përballë Shkumbinit kryesues, për të cilën trajneri Mehja, shprehet: ”Në ndeshjen e ardhshme luajmë në transfertë kundra ekipit të Shkumbinit të Peqinit që është edhe kryesues i grupit A. Shkumbini njihet prej të gjithëve për traditën e mirëfilltë që ka në futbollin shqiptar duke luajtur për shumë sezone edhe në Superiore. Një ekip që ka cilësi, si dhe kualitete individuale, por që gjithësesi ne atje shkojmë për rezultat pozitiv.”

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img