Sunday, December 1, 2024

Anton Qafarena, e nis me fitore në Ukrainë

Lexo

Pas tre sezoneve të suksesshme në Gjermani dy metroshi shkodran këtë sezon luan për kampionen ukrainase VC Barkom-Kazhany

Ndonëse vetem 23 vjeç, emri i Anton Qafarenes është padyshim ndër më të spikaturit e volejbollit shqiptar. Një djal shkodran, që pasi debutoi me sukses në ekipet e Vllaznisë, kampion me të rinjtë dhe të rriturit veshi shumë shpejt edhe fanelen e kombëtares shqiptare, aty ku vazhdon të kontribuojë me shumë sukses edhe sot. Por, ajo që e bën të veçantë Antonin është karriera brilante që ai po bën jashtë vendit. Tre vite me radhë ishte titullar tek Buhl Bisons në  Bundesligën gjermane, ndërkohë që për sezonin 2020-2021 ai do të luajë në kampionatin ukrainas duke mbajtur të veshur uniformen e VC Barkom-Kazhany, fitues e pesë trofeve radhazi në sezonet e fundit. VeriuSport, kontaktoi me Antonin dhe mësoi se shkodrani është mjaft i kënaqur me aventuren e re që ka nisur në Ukrainë. Ndërkohë ai bën të ditur se ka startuar me fitore në kampionatin e atjeshëm ku skuadra e tij VC Barkom-Kazhany ka fituar me rezultatin e pastër 3 me 0. Një ndeshje kjo tërësisht e dominuar nga ana e tyre ku Qafarena ishte titullar gjatë të gjithë ndeshjes. Sukses ky që u pasua edhe në dy ndeshjet e tjera pasardhëse duke bërë që skuadra e tij VC Barkom-Kazhany të kryesojë pa humbje kampionatin.

Sipas tij, skuadra me të cilen është bashkuar është përsëri pretendente kryesore për të fituar jo vetem Kampionatin, por edhe Kupën dhe Superkupen e Ukraines. Si kampione në fuqi e Ukraines, skuadra e Qafarenes VC Barkom-Kazhany do të luajë për llogari edhe të Challenge Cup, ndeshjet e së ciles janë planifikuar për në muajin nëntor, edhe aty me pretendime serioze duke synuar trofeun.

Duke folur për jeten jashtë fushës së lojës, Qafarena thotë se Ukrainen e kishte menduar me temperature të ulëta, por aktualisht në këtë periudhe temperaturat janë midis 15 deri në 20 grade. “Qyteti është shumë i bukur, gjithashtu edhe i madh, por besoj se do të kem mjaftueshem kohë për t’u ambjentuar me jeten e këtueshme”, thotë Qafarena duke shtuar se për momentin sa të arrijë të përvetësojë gjuhën vendase po përdorë anglishten në komunikim. I pyetur për situaten e atjeshme në lidhje me Covid-19, ai bën të ditur se nuk paraqitet ndonjë gjendje alarmante, masat janë maksimale, ndërkohë që ndeshjet luhen me tifozë në numer të kufizuar për momentin.

Ndërsa flet me entuziazëm për aktivitetin e tij në Ukrainë, Anton Qafarena shpreh shqetësimin se volejbolli shqiptar dhe konkretisht ai shkodran ku bën pjesë edhe i vëllai i tij Nikolini si kapiten i Vllaznisë, vazhdon të jetë i bllokuar. “Nuk e kuptoj pse nuk është dhënë një vendim pozitiv akoma pasi pothuajse në të gjitha vendet e tjera kanë filluar kampionatet përfshirë edhe Italine ku Covid-19 ka bërë dëme kolosale dhe përsëri kampionati ka filluar që në fund të shtatorit, madje dhe me tifozë, ndërsa në Shqipëri nuk japin të drejte as të sterviten ekipet në pallate sporti. E gjitha kjo është vetem në dëm të sportit shqiptar, në veçanti të volejbollit që me këto rregulla, me keqardhje e them, po e dërgojnë drejt shkrirjes totale.”, shprehet për VeriuSport, Qafarena.

Në mbyllje shkodrani Qafarena, akualisht pjesë e ukrainasve të VC Barkom-Kazhany, flet edhe për kombëtaren kuqezi ku ai është titullar kryesor i formacionit të saj. Ai bën të ditur se nisur nga situata e pandemisë,  eleminatoret e Kampionatit Europian ku Shqipëria bën pjesë në një grup me Rumaninë, Sllovakinë dhe Zvicren, ndeshjet që ishin për t’u luajtur në muajin gusht janë zhvendosur për në janar.

Gaspër MARKU

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img