Wednesday, May 15, 2024

Armando Broja, orët e fundit të huazimit nga Çelsi te Fulhami, pritet zyrtarizimi

Lexo

Sulmuesi kuqezi largohet nga Çelsi në një marrëveshje 6-mujore prej 4 milionë stërlinash

Orët e fundit të merkatos në kampionatet e vendeve kryesore të Evropës janë të ethshme dhe të mbushura me të papritura. Kështu, ka ndodhur edhe në Premier Ligën Angleze, aty ku duket se ka ardhur edhe një lajm për futbollistin e Kombëtares kuqezi, Armando Broja. Kështu, sipas asaj që raportonte deri në ora 18:30 rrjeti prestigjioz sportiv Sky Sports, Fulhami ka arritur marrëveshje për ta huazuar Armando Brojën nga Çelsi deri në fund të sezonit.

Më tej, Sky Sports theksonte se vlera e këtij huazimi mund të jetë deri në 4 milionë stërlina, në varësi të ndeshjeve të luajtura, por edhe paraqitjeve të bëra. Megjithatë, media në fjalë raportonte se, në mënyrë që kjo marrëveshje të bëhej realitet, duhej plotësuar dhe dorëzuar i gjithë dokumentacioni i nevojshëm brenda mesnatës, pra, brenda një afati prej vetëm 5 orësh e gjysmë. Ndërkaq, nuk ka patur deri më tanimë asnjë konfirmim zyrtar nga ana e të dy klubeve.

Armando Broja ka munguar në 6 ndeshje në Premier Ligën Angleze, ndërsa është aktivizuar në 13 të tjerat, aty ku 6 i ka nisur si titullar, dhe në 7 të tjerat ka hyrë si zëvendësues, ndërsa në humbjen e fundit, 1-4 të mërkurën përballë Liverpulit, ishte në stol gjatë gjithë kohës. Ai ka shënuar një gol në kampionat dhe një në Kupën e Anglisë (FA), ndërsa ka dhënë edhe dy pasime për gol në kampionat dhe Kupën e Ligës Angleze.

Kalimi tek Fulhami do t’i jepte atij më shumë hapësirë dhe minuta për të luajtur, të nevojshme për vendosur kandidaturën e tij për një vend në Kombëtaren kuqezi në Evropianin “Gjermani 2024”.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img