Sunday, November 24, 2024

Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme Statutore e FSHF miraton ndryshime në statut

Lexo

Asambleja e Përgjithshme e Jashtëzakonshme Statutore e FSHF-së u mblodh sot përmes video-konferencës në platformën online të Microsoft-Teams. Në këtë mbledhje morën pjesë anëtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues të FIFA-s, UEFA-s, presidenti i Federatës së Futbollit të Kosovës, Agim Ademi, Sekretari i Përgjithshëm i FFK-së, Eroll Salihu, përfaqësues nga Ministria e Arsimit, Sportit dhe Rinisë, etj. Pavarësisht problematikave të mëdha që ka imponuar pandemia COVID-19, Federata arriti të organizojë një asamble normale ku të gjithë anëtarët, por edhe të ftuarit, patën mundësi të merrnin pjesë online dhe të thonin fjalën e tyre në këtë mbledhje.

Paraprakisht të gjithë anëtarët e FSHF-së ishin njohur prej ditësh me draftin e ndryshimeve në statut dhe gjithashtu ishin instruktuar lidhur me përdorimin e platformës online dhe votimit.
Pas regjistrimit të pjesëmarrësve, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka, mbajti një fjalë përshëndetëse, ku pasi foli për të gjitha zhvillimet kryesore dhe vështirësitë e mëdha të vitit 2020, u shpreh se qëllimi kryesor i kësaj asambleje është përmirësimi i disa dokumenteve bazë shumë të rëndësishëm të organizatës.

Presidenti Duka tha se sipas rekomandimeve të FIFA-s e UEFA-s e në bashkëpunim të plotë me ekspertët më të mirë të fushës janë përgatitur draftet e statutit dhe rregullores së zhvillimit të asambleve të përmirësuar në tërësi. Drafti i është referuar praktikave më të mira ndërkombëtare statutore.
“Draftet e paraqitura për miratim janë në përputhje të plotë me statutet tip të federatave europiane e botërore e në përputhje të plotë me legjislacionin shqiptar gjithashtu dhe përfaqësojnë frymën e barazisë, solidaritetit, fair-play e transparencës në organizatë. Drafti që propozohet për t’u miratuar është një hap cilësor për ne kryesisht për:
– Përfaqësimin më të mirë të të gjithë aktorëve në organizatë, barazimin e futbollit profesionist me atë amator në përfaqësim, përfaqësimin e futbollit të femrave dhe fëmijëve.
– Dhënien e më shumë kompetencave vendimmarrëse asamblesë, nëse në të vjetrin komisionet Juridike emëroheshin nga KE në këtë draft parashikohet votimi i tyre në asamblenë e përgjithshme.
– Përmirësimin e pavarësisë organizative të FSHF, dhe shkëput akoma më shumë atë dhe anëtarët e saj nga ndikimet e drejtpërdrejta politike. Drafti është diskutuar e miratuar nga KE i FSHF në unanimitet. Pas kësaj asambleje ky proces do të vazhdojë për të përshtatur statutin e çdo anëtari të FSHF në të njëjtën frymë me këtë statut dhe me statutet e FIFA e UEFA”, – tha presidenti i FSHF-së.

Më tej, u ngrit edhe Komisioni i Verifikimit, që informoi pjesëmarrësit se në këtë asamble nga 60 anëtarë ishin prezentë 59 delegatë te klubeve e shoqatave anëtare te FSHF. Komisioni i Verifikimit, mbështetur ne Statutin e FSHF dhe Rregulloren e Asamblesë, vërejti se thirrja e asamblesë së përgjithshme është kryer në përputhje me statutin e FSHF dhe konform afateve të përcaktuara. Gjithashtu, Komisioni i verifikimit, vërejti se dërgimi i ftesave për pjesëmarrje në asamble, rendit të ditës dhe materialeve, është kryer në kohë përmes postës elektronike dhe postës së zakonshme. Komisioni i Verifikimit e deklaroi Asamblenë e Përgjithshme të Jashtëzakonshme Statutore të Federatës Shqiptare të Futbollit të mbledhur sipas statutit dhe mund të vijojë normalisht punimet.

Në vijim e mori fjalën Drejtori i Departamentit Juridik në FSHF, Aldi Topçiu, i cili shpjegoi procesin e revizionimit të statutit të ri të FSHF. Topçiu tha se në vijim të vendimit të Asamblesë së Përgjithshme të datës 11.05.2020 për një rishikim të plotë të statutit si dokumenti themelor i organizimit të FSHF-së, grupi i punës ka punuar me Departamentet Juridike dhe ato të Federatave Anëtare në UEFA dhe FIFA duke shkëmbyer mendime dhe eksperiencat më të mira nga gjithë Evropa.

“Pas një sërë video konferencash me përfaqësuesit e UEFA dhe FIFA në të cilat u diskutua mbi problemet aktuale të anëtarësisë, nivelin e përfaqësimit dhe implementimin udhëzimeve të mirëqeverisjes, filloi shkrimi i statutit sipas modelit standard të FIFA-s, i detyrueshëm ky për të gjitha federatat anëtare. Në këtë projekt-statut u përfshinë dispozitat detyruese të Nenit 4 të Statutit të FIFA siç janë detyrimi për besnikëri, detyrimi për njohjen e Ligjeve të Lojës, detyrimi për njohjen e juridiksionit të CAS Lozanë, detyrimi për pavarësi politike dhe nga palë të treta etj. Më tej, procesi ka vijuar me diskutimet mbi formën e anëtarësisë, përbërjen e Asamblesë së Përgjithshme dhe Komitetit Ekzekutiv si dhe formimin e trupave të pavarura, organeve gjyqësore dhe komisioneve të ndryshme”, – theksoi Topçiu, duke nënvizuar edhe risitë kryesore të këtij projekt-statuti, që janë: 1- Pavarësia Politike dhe Institucionale; 2 – Zgjerimi i Bazës së Anëtarësisë; 3- Rritja e Kompetencave të Asamblesë duke zgjedhur të gjitha organet juridike si dhe shkrirja e Komisioneve Juridike të Etikës dhe Disiplinës në një komision të vetëm, i cili nga sot e tutje do të quhet Komisioni i Disiplinës dhe Etikës sipas modelit të UEFA-s.
Lidhur me Pavarësinë Politike është për t’u nënvizuar ndër të tjera, jo vetëm aspekti i pavarësisë politike të FSHF-së, por tashmë edhe detyrimi i anëtarëve, pra klubeve tona për të marrë vendime pa u ndikuar nga palë të treta, detyrim ky i cili do të sanksionohet në statutet respektive të të gjithë anëtarëve.
“Ky detyrim do të jetë edhe për të gjithë personat që do të zgjidhen në komisionet e pavarura dhe ato juridike të FSHF, duke filluar nga viti i ardhshëm. Sa i përket zgjerimit të bazës së anëtarësisë, grupi i punës me ndihmën e kolegëve nga FIFA dhe UEFA është përpjekur të arrijë një barazi ideale në përfaqësim midis futbollit amator dhe atij profesionist. Kjo do të thotë se duke filluar nga viti i ardhshëm pesha specifike e klubeve profesioniste dhe atyre amatore do të jetë e njëjtë dhe për herë të parë klubet e kategorisë së dytë, kategorisë së tretë dhe klubet e femrave që nuk përfaqësohen nga klubet profesioniste do të kenë të drejtën e përfaqësimit indirekt në vendimmarrjen e Asamblesë së Përgjithshme”, – shtoi Topçiu.
“Lidhur me rritjen e kompetencave te Asamblesë është punuar për arritjen e një balance midis Komitetit Ekzekutiv dhe Asamblesë se Përgjithshme ku kjo e fundit, si organi me i lartë vendimmarrës i FSHF do të këtë tashmë të drejtë të zgjedhë, jo vetëm Komitetin Ekzekutiv, por edhe anëtaret e komisioneve te pavarura dhe atyre juridike përmes një procesi të mirë përcaktuar dhe transparent. Kjo Asamble shënon mbarimin e mandatit të Komisionit të Etikës, veprimtaria e të cilit tashmë do t’i transferohet Komisionit të Disiplinës dhe Etikës”, – u shpreh Aldi Topçiu.

Pas diskutimeve u kalua në procesin e votimit për revizionimin total të Statutit të FSHF-së, të miratuar tashmë nga Komiteti Ekzekutiv i FSHF-së. Statuti i ri i FSHF-së u miratua me 56 vota pro, asnjë kundër dhe 1 abstenim.

Në përfundim të punimeve të Asamblesë, Presidenti i FSHF-së, Armand Duka i falënderoi të gjithë anëtarët e Federatës dhe të ftuarve për pjesëmarrjen në këtë mbledhje online dhe i uroi të gjithë për një vit të ri sa më të mbarë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img