Friday, May 17, 2024

Atletika shkodrane në zi. Ndërron jetë në moshën 86 vjeçare, veterani i njohur i atletikës shkodrane, Syrri Hoti

Lexo

Për atletiken shkodrane dhe atë shqiptare, mëngjesi i së mërkurës së 1 dhjetorit 2021 ka ardhur i zymtë. Lajmi për ndarjen nga jeta të veteranit të nderuar të atletikës, ish atletit, trajnerit, mësuesit të edukimit fizik dhe drejtuesit të klubit sportiv Vllaznia, Syrri Hoti ka pikëlluar të gjithë. Më së shumti, komunitetin e qytetit të Shkodrës, ku ai u lind dhe u rrit duke i shërbyer sportit për një jetë të tërë.

Nga sa bëhet e ditur, Syrri Hoti u nda nga jeta në moshën 86 vjeçare pas një sëmundje të rëndë që e mundoi gjatë viteve të fundit. Një ndarje fizike e veteranit të nderuar Hoti, por duke lënë pas një emër shumë të nderuar, qoftë si qytetar dhe familjar shembullor i qytetit të Shkodrës, por edhe në fushën e sportit, ku ai u lidhë që në vogli duke kontribuar për Vllazninë e tij të dashur, ekipin kombëtar dhe më gjerë.

Fillimet e Syrri Hotit me sportin e atletikës i përkasin viteve ’50-të, duke u bërë pjesë e  disiplinës së kërcimeve. Nuk vonon dhe në Kampionatin Kombëtar të atletikës së vitit 1953, ai përfaqëson ekipin “Puna” të Shkodrës dhe me rezultatin e kënaqshëm 1 metër dhe 55 cm, renditet në vendin e tretë.

Më pas, ai do të vijonte edhe me kontribute të tjera në shërbim të ekipit Vllaznia si sportist, por pjesa më e madhe e karrierës së tij sportive i përket sektorit të trajnimit. Pasi përfundon edhe studimet e larta në Universitetin e Lartë të Kufturës Fizike, “Vojo Kushi” në Tiranë, inkuadrohet si trajner i Vllaznisë në ekipet e atletikës. Duke punuar përkrah kolegëve dhe miqve të tij të afërt, Gëzim Mema, Vildan Tufi, Hysni Beqeziqi, Rasim Kraja, Llesh Vuksani, Enver Dervishi, Isak Bala, Rrok Hila, Angjelina Gurakuqi, etj.

Falë përvojës disa vjeçare në këtë fushë, Syrri Hoti do të ishte në pozicionin edhe të kryetrajnerit të atletikës shkodrane, nga puna pasionante dhe profesionale e të cilit kanë dalë me dhjetra sportistë të talentuar, kampionë dhe rekordmenë të Shqipërisë. Ndërkohë, që një pjesë të mirë të viteve të punës së tij, Syrri Hoti do t’i kalonte edhe si mësues i edukimit fizik, ndër më të spikaturit e qytetit të Shkodrës, pa lënë mënjanë këtu edhe vitet si inspektor i klubit sportiv Vllaznia.

Me ndarjen nga jeta të, familja humbi njeriun e afërt, ndërkohë që klubi Vllaznia dhe mbarë atletika shqiptare, humbi një prej figurave të nderuar sportive që kontribuoi shumë për Shkodrën dhe mbarë Shqipërinë.

Stafi i portalit Veriu Sport, i përcjellë ngushëllimet më të sinqerta familjes “Hoti”. I përjetshëm kujtimi për profesorin e nderuar të atletikes shqiptare, pushofsh në paqe, Syrri Hoti!

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img