Saturday, July 27, 2024

Basketboll Meshkuj/Finalja e tretë, Tirana-Besëlidhja, fitohet nga bardheblutë. 2-1 për lezhjanët, do të luhet finalja e katërt për të përcaktuar ekipin kambion

Lexo

Superliga e Kampionatit Kombëtar të Basketbollit për Meshkuj ka luajtur të mërkurën duelin e 3-të të “play-off”-it final dhe Tirana i ka prishur festën Besëlidhjes, duke e mundur me shifrat 76-63 dhe duke dëshmuar se asgjë nuk është mbyllur sa i përket çështjes së titullit “kampion”. Në takimin e së mërkurës të sjellë për sportdashësit drejtpërdrejt Rrjeti i Radio-Televizionit Shqiptar, në kanalin RTSH Sport,  dhe që u luajt në sallën kryesore të Pallatit të Sportit “Asllan Rusi” në kryeqytet, ka qenë Tirana, e cila pati eliminuar Teutën “kampione” në fuqi në gjysmëfinale, ka mbizotëruar në 10-minutëshin e parë, të cilin e ka fituar me rezultatin 20-16, ndërsa në atë të dytin, është skuadra lezhjane që bën dallimin, duke e fituar atë me 5 pikë epërsi, 19-14.

Dhe është Besëlidhja e drejtuar nga trajneri Afrim Bilali që shkon në pushimin e madh midis dy gjysmave, duke kryesuar me rezultatin e ngushtë, 35-34. 10-minutëshi i 3-të do të jetë vendimtar për Tiranën, pasi skuadra kryeqytetase do të reagojë, duke përmbysur shifrat dhe duke e fituar atë me 3 pikë epërsi, 20-17, e duke kryesuar kështu me një gjysmëore lojë me shifrat 54-52. 10-minutëshi i 4-t dhe i fundit ka parë Tiranën të mbizotërojë, edhe falë ruajtjes së gjakftohtësisë, dhe të thellojë epërsinë. Bardheblutë e fitojnë këtë fraksion loje me një epërsi të thellë, 22-11 dhe vulosin fitoren me 13 pikë epërsi, me shifrat 76-63.

Tirana korr kështu fitoren e parë në këtë duel final, duke përmbysur gjithçka, pavarësisht shpresave të Besëlidhjes për ta mbyllur në 3 ndeshje çështjen e titullit në një Pallat Sporti të mbushur si rrallëherë plot e përplot këto vitet e fundit dhe që u përshkua nga një atmosferë elektrizuese, por korrekte. Tanimë fjalën e ka sfida e 4-të, që do të luhet në Sallën Sportive të Lojërave me Dorë “Feti Borova” në kryeqytet, aty ku Tirana do të përballet me Besëlidhjen duke shpresuar ta mbajë hapur duelin, ndërsa lezhjanët për ta bërë të vetin trofeun e vyer.

 

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img