Kapiteni i Japonisë, Wataru Endo, nuk është pjesë e skuadrës për Botërorin që sapo ka nisur për shkak të një dëmtimi. Ai ka njoftuar gjtihashtu tërheqjen nga kombëtarja japoneze 3 ditë para ndeshjes debutuese kundër Holandës.
Mesfushori i Liverpool nuk mundi të riaftësohej në kohë nga një dëmtim në këmbë dhe u zëvendësua nga Shuto Machino i Borussia Mönchengladbach. Endo, 33 vjeç, ka shkruar në rrjetet sociale se ndihet “i frustruar” që nuk mund të luajë, por shprehu besimin se Japonia do të bëjë një figurë të mirë në Grupin F, ku do të ndeshet me Holandën, Tunizinë dhe Suedinë.
“Nga tani e mbrapa do ta mbështes Japoninë si një tifoz i thjeshtë”, – ka shkruar Endo. Në muajin shkurt, gjatë një ndeshjeje të Liverpool kundër Sunderland, Endo u dëmtua dhe mbylli sezonin. Ai u kthye të luante me Japoninë në një miqësore ndaj Islandës në Tokio, më 31 maj. Doli nga fusha në pushim dhe ndjeu dhimbje gjatë përgatitjeve para Botërorit. Nuk ia doli të riaftësohej në kohë dhe kështu vendosi të tërhiqet nga Kupa e Botës.
Endo ka debutuar me Japoninë në vitin 2015, ka luajtur 73 ndeshje dhe ka shënuar 4 gola. Ka marrë pjesë në Botërorët 2018 dhe 2022, ka luajtur në fitoret ndaj Gjermanisë dhe Spanjës në Katar. Mbrojtësi Ko Itakura do të marrë shiritin e kapitenit te Japonia.


