Sunday, December 1, 2024

Brdariç, respekt për Teutën por nesër fiton Vllaznia

Lexo

Me çiftin Vllaznia-Teuta, që luhet të premten në stadiumin “Loro Boriçi” të Shkodrës duke filluar nga ora 18:00, starton java e 13-të e Superiores  së futbollit shqiptar. Sfida në fjalë që njëherazi është edhe ndeshja e parë e vitit të ri 2021 është më e rëndësishmja e kësaj jave, pasi përballë Vllazninë kryesuese të tabelës së klasifikimit me 26 pikë dhe Teutën e vendit të dytë me 22 pikë. Një ndeshje, përfundimi i së cilës i jep disa përgjigje jo të vogla enigmës së vijueshmërisë së kampionatit, ku një fitore e kuqebuve e thellon akoma më shumë diferencën e Vllaznisë me ndjekësit e saj, ndërkohë që me një fitore të durrsakëve, kampionatit i shtohet më shumë rivaliteti sa i takon kreut të tabelës së klasifikimit.

Duke folur në konferencën për shtyp, njëshi i pankinës kuqeblu, Thomas Brdariç u shpreh optimist për një rezultat pozitiv. Në komunikimin me gazetarët shkodranë, ai përcolli vlerësime për skuadrën kundërshtare, si dhe trajnerin Martini, por nga ana tjetër beson në fitoren e skuadrës së tij.

“E dimë, e kemi parë si luajnë dhe mendojmë se ne kemi shanse të mira në fushën tonë dhe duhet të bëjmë maksimumin të mundim Teutën. Ajo është një skuadër shumë e fortë, ka trajner me eksperiencë, fituese e Kupës, por mendoj se skuadra ka shumë motivim për të treguar se duam të fitojmë. Do të jetë një ndeshje e fortë, duhet të jemi të fokusar dhe të uritur të fitojmë kundër Teutës.”, tha Brdariç.

Gjatë fjalës së tij, Brdariç komplimentoi futbollistin më të ri të Vllaznisë, sulmuesin e ardhur nga bardheblutë e Tiranës, Albion Avdijaj, për të cilin bëri të ditur se ka njohje të mëparshme me të që në Gjermani. “E kemi filluar vitin me plotësimin e skuadrës me një sulmues të mirë si Avdijaj dhe po shohim gjithmonë përpara se ajo që ka kaluar, ka kaluar. Avdijaj ka karakter, është një lojtar që e njoh dhe vendimin e morëm bashkë. Duhet të tregojmë në transferime jo vetëm aftësinë e lojtarit, por edhe nëse është i përshtatshëm për ekipin dhe kjo është vendimtare.”, tha ai.

Sa i përket punës që bëhet në tërësi me skuadrën, Brdariç, shtoi se “ne jemi skuadër që do të përmirësohet dhe të vazhdojë punën e përkushtimin. Duam të tregojmë paraqitje si vitin e kaluar. Jemi në një pozitë ku çdokush duhet të na kapë dhe mundë, jemi në vend të parë dhe duhet ta mbrojmë e do ta tregojmë ndaj Teutës nesër.”

Për Brdariç, gjatë kësaj periudhe, në kampin kuqeblu është punuar mjaft mirë në grup. “Vllaznia e filloi nga zero në verë dhe mendoj se u kemi treguar të gjithëve në qytet se me këtë përkushtim e përpjekje, skuadra është e përshtatshme, është konkuruese. E dimë se çfarë duhet të bëjmë me Matkon e stafin teknik. Sigurisht edhe lojtarët, jemi një ekip dhe mendoj se jemi në një situatë se kur një lojtar do të ikë, duhet të afrojmë të tjerë dhe ata të jenë të përshtatshëm për ekipin. Kështu u mor vendimi edhe për Albionin.”, shtoi ai.

Në lidhje me vazhdimësinë e merkatos, Brdariç, tha se Vllaznia nuk është me ngut të afroj lojtarë. “Nëse gjejmë lojtarë të mirë për këtë klub, mund të bëjmë diçka. Nuk ka asnjë gjë të veçantë për të folur për momentin, kur të kemi diçka do të flasim”, përfundoi tekniku kuqeblu.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img