Emocioneve të pragndeshjes së sotme, Vllaznia-Laçi e vlefshme për javën e 35-të të kategorisë Superiore do t’i paraprijë një ceremoni vlerësuese për tre ekipet e futbollit të Vllaznisë, të cilët janë shpallur kampionë për sezonin futbollistik 2022-2023.
Bëhet fjalë për ekipin e futbollit të femrave Vllaznia, i cili arriti një rekord historik duke u shpallur për të dhjetën herë kampion i Shqipërisë, Vllazninë U-21 dhe Vllazninë U-17, të cilët pak çaste përpara nisjes së ndeshjes Vllaznia-Laçi, do të zbresin në pistën e stadiumit “Loro Boriçi” për të marrë duartrokitjet e tifozërisë shkodrane.
Rikujtojmë se pas vendimit të marrë nga drejtuesit e klubit kuqeblu, tifozët shkodranë dhe më gjërë do të kenë mundësinë ta ndjekin këtë ndeshje në shkallët e stadiumit “Loro Boriçi” me hyrje të lirë, pa bileta.
Që do të thotë, se një atmosferë e tillë festive që do të krijohet në pragndeshjen Vllaznia-Laçi, pritet t’i shërbejë futbollistëve kuqeblu për një karikim maksimal në mënyrë që të japin më të mirën e tyre në fushën e lojës në kërkim të marrjes së tre pikëshit shumë të rëndësishëm që vlen për zonën europiane.