Saturday, May 4, 2024

Ndryshimet për formatin e Superiores, FSHF jep detaje për garën rreth titullit kampion

Lexo

Në ditët në vijim pritet që Departamenti i Garave në FSHF të finalizojnë dokumentin përfundimtar për ndryshimet që do të bëhen në formatin e Superiores, nisur dhe nga sugjerimet e bëra nga klubet, që parimisht ishin dakord për të bërë ndryshime dhe më pas materiali do t’i dërgohet Komitetit Ekzekutiv të FSHF-së për miratim.

FSHFja u shtroi në tavolinë pak ditë më parë disa opsione, ku secili kishte edhe një mori variantesh, por mësohet se klubet kanë rënë dakord që kampionatit t’i shtohet një miniturne ose “play off”, i quajtur “Final 4”. Kështu që pas përfundimit të kampionatit me 36 javë, katër skuadrat e para në renditje do të zhvillojnë një miniturne mes tyre, ku do të përballen dy herë me njëra-tjetrën, por jo me sistemin vajtje-ardhje dhe eliminim, pasi të gjitha ndeshjet do të luhen në stadiumin “Air Albania” në Tiranë.

Çdo ekip do të luajë 6 ndeshje, tri në raundin e parë dhe tri në të dytin dhe renditja përfundimtare do të caktojë skuadrën që do të fitojë titullin kampion dhe skuadrat që do të shkojnë në Europë, duke nisur nga vendi i parë që luan në Champions League dhe të tjerat në Ligën e Konferencës. Gjithsej do të luhen 12 takime dhe mendohet se do të luhen të gjitha në kryeqytet, në një hapësirë kohore prej 10 ditësh nga kampionati. Sa i përket ndryshimeve, në fjalën e tij, Armand Duka e la të hapur mundësinë që ky ndryshim të vijë edhe që në nisje të këtij sezoni dhe të mos pritet që “Final 4” të aplikohet sezonin tjetër.

KAMPIONATI – Sa i përket pjesës së kampionatit të rregullt, skuadra që përfundon e para, do të marrë bonusin financiar të akorduar nga FSHF-ja prej 100 milionë lekësh, vlerë kjo e pandryshuar që prej vitit 2002. Kjo shumë i shkon ekipit të vendit të parë, pavarësisht si shkon në “Final 4”. Gjithashtu nëse pas ndeshjeve të miniturneut, ajo del me pikë të barabarta me një ekip tjetër, do të klasifikohet më sipër. Këto janë benefitet që merr skuadra që del e para në kampionat, pasi titulli kampion do të vendoset në “Final 4”.

FITIMET – Katër skuadrat e para do të luajnë mes tyre 12 ndeshje në “Air Albania”, edhe pse e diskutueshme, ky impiant ka një tërheqje më të madhe të tifozëve në krahasim me stadiumet e tjera. FSHF-ja do të përfitojë nga shitja e të drejtës televizive për këtë miniturne, e cila do të jetë shtesë nga kampionati dhe gjithashtu nga shitja e biletave dhe marketingu. Parashikohet që të ardhurat të kapin vlerën e 1 milion eurove në vitin e parë dhe më pas kjo shifër ka trendin që të rritet. Ndërkaq, kjo shumë do të jetë një bonus i majmë për të gjitha klubet e Superiores. Sipas parashikimeve, 65-70% e saj mund të shpërndahet për katër ekipet e para që do të jenë pjesëmarrëse, normalisht në bazë të renditjes në këtë miniturne, ndërkohë që pjesa tjetër e këtyre të ardhurave t’iu shpërndahet gjashtë ekipeve të tjera të kampionatit, si një lloj bonusi solidariteti.

 

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img