Thursday, April 18, 2024

Drejtori teknik i Veleçikut Nuri Rexha premton ndryshime në janar, optimist edhe për ndërtimin e stadiumit të ri në Koplik

Lexo

Veleçiku i Koplikut, skuadër e cila konkuron në kampionatin Kombëtar të kategorisë së parë, grupi A, e mbylli vitin 2020 me ndeshjen në shtëpi duke pasur përballë Besëlidhjen e Lezhës. Barazimi 1 me 1 i regjistruar në fushën sportive “Reshit Rusi”, por edhe loja e mirë e koplikasve përballë një skuadre pretendente për kalimin në Superioreje si Besëlidhja, konsiderohet pozitive për Veleçikun. Një gjë të tillë e konfirmon në prononcimin e tij të dhënë menjëherë pas ndeshjes, drejtori teknik i VeleçikuT, Nuri Rexha, ku ndër të tjera pranon se barazimi ishte i drejtë dhe se Veleçiku e meritoi plotësisht pikën e marrë ndaj një skuadre të tillë të mirëorganizuar si Besëlidhja.

”Barazimi në mes Veleçikut dhe Besëlidhjes ishte një rezultat më se i drejtë dhe mund të them me bindje se ne e merituam plotësisht barazimin, ndërkohë që nëse do të kishim guxuar më shumë në fundin e takimit, mund të kishim marrë edhe diçka më tepër. Por, mbas kësaj ndeshjeje na dalin detyrë të tjera, presim të marrim lojtarë të rinjë për përforcim të skuadrës. Do të ketë padyshim ndryshime tek Veleçiku dhe mendoj se do t’ia dalim”, u shpreh Rexha.

Sipas drejtorit teknik, fillimi nuk ka qënë i mirë për Veleçikun, por në ndeshjet e fundit kanë ardhur edhe pikët, duke dhënë sinjale pozitive mbijetese për koplikasit.

“Është mëse e vertet, nuk e filluam mirë, por në të gjitha ndeshjet e fundit, kemi marrë rezultate pozitive duke fituar dhe barazur. Në pjesën e dytë ekipi shfaqet i freskët në fushën e lojës, ka frymë dhe vrapon shumë në fushë, çka tregon se ekipi përgjithësisht e ka brumin kryesor dhe nga ndeshja në ndeshje ka ardhur në rritje e sipër.”, thotë Rexha.

Duke vijuar të flasë për merkaton, Rexha zbulon edhe disa nga planet që Veleçiku ka për janarin.

“Padyshim që do të jemi aktiv në merkaton e janarit ku po shikojmë për ndonjë lojtar cilësor. Mund të marrim ndonjë sulmues, mesfushor organizator, apo edhe në sektorë të tjerë të formacionit ku do të shikohet edhe më e arsyeshme që skuadra ka nevojë. Me punën e mirë që është bërë deri më tani, si dhe me përforcimet e pritshme në janar, kam bindjen e plotë se Veleçiku do të mbijetojë patjetër në kategorinë e parë.”, nënvizon zyrtari i klubit koplikas, Rexha.

Në mbyllje, ish futbollisti i njohur koplikas që në karrieren e tij sportive ka luajtur edhe për skuadra të tjera shqiptare, madje edhe në Superiore, flet edhe për infrastrukturën sportive, duke dhënë lajme të mira për ndërtimin e stadiumit si dhe të fushave stervitore në qytetin e Koplikut.

“Për vitin e ardhshëm besoj se fillon ndërtimi i stadiumit, projekti i të cilit është prezantuar prej kohësh nga kryebashkiaku Tonin Marinaj si dhe është miratuar nga strukturat përkatëse shtetërore të qeverisë shqiptare. Por, krahas kësaj do të ndërtojmë edhe një terren tjetër për stervitje, jam i bindur se këto do të konkretizohen shumë shpejt.”, përfundon drejtori teknik i KF Veleçiku Nuri Rexhaj.

Lajme këto, që nëse vertet do të bëhen realitet, atëherë për sportin dhe konkretisht futbollin në Koplik dhe në përgjithë Rajonin e Malësisë së Madhe do të ketë një frymëmarrje shumë më të madhe në lidhje me zhvillimin, masivitetin dhe cilësinë sportive.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img