Friday, May 10, 2024

Dueli i 21 vjeçarëve të shqiptarëve në “Fadil Vokrri”, Kosova mund Shqipërinë në kohën shtesë

Lexo

Kosova U21 – Shqipëria U21  2-1

(Shënues: Karrica 56′ / Krasniqi 65′, Sejdiu 90′)

Kosova: Nreca, Hoti, Kurtulus (C), Sadriu, Hoxha, Krasniqi, Sabani, Lushaku, Veliu, Marleku, Zeqiri. Trajner: Michael Nees

Albania: Tafas, Mitaj (C), Selmani, Pëllumbi, Ismailgeci, Çelhaka, Asllani, Doda, Dobra, Karrica, Ndrecka. Trajner: Alban Bushi.

Mbrëmja e së martës përballi në stadiumin “Fadil Vokrri” 21 vjeçarët e Kombëtares së Kosovës dhe ato të Kombëtares së Shqipërisë. Një duel vëllezërish në dukje, por që për hirë të së vertetes, në fushën e lojës u pa një luftë e fortë sportive, madje hera herës edhe mjaft e ashpër. Pjesë e Grupit G të Eliminatoreve të Evropianit 2023, Shqipëria me 9 pikë në renditje vinte në këtë ndeshje me një bilanc më të mirë se Kosova me tre 3 pikë, ndaj edhe pritshmëria e kuqezinjëve për të marrë pikët e plota në këtë sfidë ishte më e madhe.

Rasti i parë për t’u shënuar i kësaj sfide i përket Shqipërisë me Ismajlgecin i cili, në minutën e 9-të, provon të majtën e tij nga e djathta, por gjuajtja përfundon në rrjetën e sipërme të portës. 10 minuta më pas, një nundësi e shkëlqyer për të shënuar e Dobrës pas një pasimi diagonal të Ismajlgecit. Sulmuesi ndalet nga portieri e më pas mbrojtja e Kosovës largon topin para se ai të kalojë vijën fatale. Përtej disa përpjekjeve sporadike të vendasve, pjesa e parë do të shohë Shpresat ta mbizotërojnë atë, por pa e gjetur dot rrugën e rrjetës dhe për rrjedhojë ajo do të mbyllet pa gola.

E dyta nis me Kosovën që rrezikon dhe është Krasniqi që vë në provë gardianin e portës kuqezi, Tafas, i cili sidoqoftë dëshmohet në lartësinë e detyrës. Megjithatë, janë futbollistët kuqezi që kalojnë të parat në epërsi në minutën e 58-të, kur Asllani gjen me një pasim të zgjuar në zonë Karricën dhe ky i fundit nuk gabon, duke gjetur rrugën e rrjetës.

Por vetëm 7 minuta zgjat kjo epërsi, pasi vjen goli i Kosovës me Krasniqin i cili depërton në zonë dhe mposht Tafasin, duke i kaluar topin mes këmbëve dhe duke barazuar shifrat.

10 minutat e fundit të ndeshjes do të shohin Kosovën më këmbëngulëse dhe, pasi Zeqiri kishte vënë në provë Tafasin, me një goditje të fuqishme, është Sejdiu që do të finalizojë me zgjuarsi një këmbëngulje të gjatë të skuadrës vendase dhe përshëndet rrjetën, duke përmbysur kështu shifrat në minutën e parë shtesë.

21 vjeçarët e Shqipërisë nuk kanë kohë për të reaguar dhe pësojnë humbjen e 3-të në këto 6 ndeshje, duke mbetur në vendin e 3-të, me 9 pikë, ndërsa Kosova gjen fitoren e dytë në 5 ndeshje, por mbetet e parafundit në renditje, me 6 pikë.

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img