Thursday, March 28, 2024

Elbasani me 0 pikë, 0 gola në kampionat, por tek Vllaznia po e studiojnë me video

Lexo

Vllaznia ka qënë shumë me fat në shortin e Kupës së Shqipërisë. Në turin e parë, përpos asaj që u ndesh me një ekip të kategorisë së parë si Devolli, përballja me vetem një takim kualifikimi u luajt në Shkodër. Shansi i kalendarit vijoi edhe në turin e dytë për Vllazninë duke e vënë përballë Elbasanit, kësaj skuadre me emër të madh në histori, por super modeste gjatë periudhës së viteve të fundit. Në turin e dytë mbërriti me fitore në tavolinë, pasi Luftëtari kundërshtar nuk u paraqit në ndeshje. Ndërkohë, në dy javët e para të Kampionatit Kombëtar të kategorisë së parë, elbasanasit figurojnë me dy humbje radhazi. 0 pikë në fund të tabelës së klasifikimit të grupit A, 0 gola të shënuar dhe 7 gola të pësuar, shifra këto që nuk kanë nevojë për koment për të treguar nivelin e dobët të kësaj skuadre. E megjithatë, në kampin kuqeblu, ndeshjen në fjalë e kanë vlerësuar si të gjitha të tjerat, një mentalitet ky në një farë mënyre pozitiv për sfatin teknik që pritet t’i japë edhe rezultatet e duhura për ecurinë e mëtejshme të sezonit futbollistik. Një gjë e tillë bëhet e ditur nga drejtori sportiv kuqeblu, Matko Djarmati, i cili gjatë konferences për shtyp të pragndeshjes dhënë në mjediset e stadiumit “Loro Boriçi” u shpreh se kanë kërkuar video për ta studiuar kundërshtarin, por deri më tani kanë hasur në vështirë për momentin.

“Nesër(të premten) kemi ndeshjen me Elbasanin në 13.30. Të gjithë lojtarët janë në dispozicion, trajneri nuk ka asnjë dëmtim në skuadër, shpresojmë të shkojë ndeshja mirë siç kanë shkuar edhe këto tria të mëparshmet. Absolutisht kemi bërë përgatitje edhe për ndeshjen me Elbasanin dhe për çdo ekip që luajmë kundër. Kemi një çik problem, sepse nuk gjejmë asnjë video të Elbasanit të ndeshjeve të fundit, por nga ìnformacionet që kemi marrë nga Berati në ndeshjen e parë dhe Rrogozhina në të dytën, besoj se kemi marrë ìnformacionin e duhur për ndeshjen e nesërme.”, u shpreh Djarmati në konference për shtyp.

Në një kohë kur në të gjithë opinionin sportiv, shkodran dhe më gjërë, duke e konsideruar një formalitet takimin me Elbasanin as që e diskutojnë kualifikimin ndaj një kundërshtari kaq modest, deklarata në fjalë e drejtorit sportiv të Vllaznisë, Matko Djarmati, sado formale që mund të jetë, tregon se drejtuesit kuqeblu të këtij sezoni janë me një mentalitet ndryshe duke i shërbyer dhe vlerësuar maksimalisht çdo ndeshjeje.

Në vijim të konferences për shtyp, zyrtari i klubit kuqeblu foli edhe për objektivin e Vllaznisë në Kupë duke theksuar se synojnë që të shkojë sa më lart. “Kupa është një nga objektivat e klubit tonë, dhe ne do të provojmë të shkojmë deri në fund.”, nënvizoi Djarmati.

Në lidhje me ndonjë eufori të mundshme të skuadrës që mund të qarkullojnë mediatikisht apo në radhët e tifozëve, Djarmati tha:

“Nuk besoj të kemi eufori, siç e kam theksuar edhe më përpara, për mua nuk janë surprisë këto dy fitore, jemi absolutisht dakort që kemi luajtur me dy ekipe që nuk janë në nivelin tonë, por prap kampionati shqiptar me dhjetë skuadra tregon që çdo ndeshje është e vështirë. Absolutisht, nuk pranojmë eufori në ekip, as stafi teknik dhe lojtarët, nuk është ndonjë gjë e madhe që çfar kemi bërë deri më tani.”

Në javën e tretë të Superligës, Vllaznia pret Tiranën në shtëpi, por, për këtë ndeshje Djarmati tha se nuk është koha tani.

“Deri në tani nuk kemi filluar të mendojmë akoma për Tiranën, sepse Elbasani ishte në planin e parë dhe po punojmë për këtë ndeshje. Më pas kemi mjaft kohë, dhjetë ditë për Tiranën, ndaj deri më takim jemi përqëndruar për Elbasanin.”

Duke vijuar të flasë për sfiden e kups me Elbasanin, sa i përket lojtarëve që pritet të luajnë në këtë ndeshje, Djarmati tha se mund të jetë një formacion miks.

“Nuk është pjesa e ime, por besoj se do të jetë një miks lojtarësh titullarë me ato që vijnë nga stoli. Jo se është një ndeshje e lehtë, por edhe trajneri duhet të shohë lojtarët që ka në dispozicion nëse janë të gatshëm plotësisht për lojë.”, përfundoi kroati që këtë sezon futbollistik është në cilësinë e drejtorit sportiv tek Vllaznia.

Gaspër MARKU

- Advertisement -spot_img

PËRGJIGJU

Ju lutemi shkruani komentin tuaj!
Ju lutem shkruani emrin tuaj këtu

Të fundit

- Advertisement -spot_img